Për besimtarët katolikë shqiptarë, njohja nga afër e Shenjtit të Rinisë, shën Luigjit
Gonzaga është bërë nga vepra origjinale e priftit e shkrimtarit të madh shqiptar,
dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”.
Në XXI kapituj të veprës tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Piu
XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike
që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve
të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë,
ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. Në kreun e parë - siç e
quan dom Ndré Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa
e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem;
qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís
êjëllore; qi ká xé mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín
e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltérna e kisha
gjithkû permêndet féja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në
mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem
kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndérshme të Afrikës e t’Amerikës,
e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën
që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet,
qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne. Në
kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja
që e shtyu Mjedjen lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një
Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue
mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte, mësimi i të vertetave
të Fés, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq
prej moshës së ré katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve
të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare –shënimi ynë) per mirërritjen
e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet
në Letrën Apostollike të Shenjtit Atë Papë. Ndonëse shumica e veprave fetare të
Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari
dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe
të prozës shqipe. Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e
Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm
22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e
ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni
i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh”
përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit,
të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí
nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën
origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë", për çka shkruam
më lartë. Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shejte” kryevepër e llojit,
që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherësh. Vepër e Mjedës
është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet
nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore
të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët. Duke lexuar veprat me tematikë
fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga
kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë,
kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mundur të nxjerrë ende nga
gjiri i vet një Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit të madh, mendojmë
se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala
“Shën Luigj Gonazaga” ose “Historia Shejte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari,
vepra që do të zgjonin interesimin e jashtëzakonshëm që kanë treguar e tregojnë besimtarët
e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e për figurat e saj të mëdha.