Ratifikohet marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë e Malit të Zi. Kardinali Bertone:
Kisha impenjohet për të mirën e vendit
Sot paradite, Në Sallën e Traktateve të Pallatit Apostolik, Sekretari i Shtetit të
Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç
shkëmbyen dokumentet për ratifikimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet dy vendeve, nënshkruar
në Selinë e Shenjtë më 24 qershorin e vitit të kaluar. “Ditë e rëndësishme për
marrëdhëniet dypalëshe”: kështu tha kardinali Bertone, në përfundim të ceremonisë.
Selia e Shenjtë e Mali i Zi, vazhdoi ai, janë të bindur se ushtrimi i lirisë fetare
së çdo qytetari dhe të çdo bashkësie besimtarësh, sipas një kuadri që përkon me parimet
e kulturës së sotme perëndimore, është kusht i domosdoshëm për mbrotjen e të drejtave
të njeriut në të gjithë planetin. Kisha Katolike, nënvizoi prelati, nuk kërkon privilegje
për vete, por mundohet të kontribuojë për të mirën e përbashkët të vendit, në gjendjen
e krijuar pas ndryshimeve të viteve të fundit. Nga ana e tij, presidenti Vujanoviç,
theksoi rëndësinë e njohjes së Malit të Zi nga Vatikani, pas shpalljes së pavarësisë
në vitin 2006, dhe nënvizoi faktin se përfaqëson vendin e parë me shumicë ortodokse,
që ka nënshkruar një marrëveshje me Selinë e Shenjtë. Kjo dëshmon se Podgorica e merr
seriozisht ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar, që qëndrojnë në bazat e Malit të Zi,
që në fillimet e këtij shteti, urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit.