2012-06-21 13:51:37

Me 21 qershor kalendari kujton shën Luigj Gonzagën


Me 21 qershor kalendari kishtar përkujton shën Luigj Gonzagën, rregulltar. Sot më 21 qershor kalendari Kishtar përkujton njërin nga shenjtorët më të njohur: shën Luigj Gonzagën, meshtar rregulltar. Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga e kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretëreshës Elizabeta.
Zgjodhi jetën rregulltare në Shoqërinë e Jezusit (Jezuitët), pat si udhëheqës shpirtëror shën Robert Bellarminin. Shën Luigji Gonzaga është shembull i jashtëzakonshëm për shpirtin e sakrificës e pastërtinë e sjelljeve dhe veprave. E vulosi dëshminë e tij të shkurt me dashuri dhe bamirësi heroike në shërbim të të sëmurëve nga gërbula e kolera.
Pra, Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit. Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. Iu ngjit, kështu sëmundja, që do ta çonte në vdekje. Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Ishte vetëm 23 vjeç. Mbetet model i të riut katolik e u shpall Pajtori i rinisë katolike.
Prandaj, duke kujtuar festën e sotme në audiencën e përgjithshme të 21 qershorit 2009 mbajtur në Vatikan, Benedikti XVI e paraqiti shën Luigjin Gonzaga si shembull mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i ftoi të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin, i vetmi që mund t’i bëjë të aftë ta përballojnë seriozisht jetën. E më pas, duke iu drejtuar të sëmurëve të pranishëm në audiencë, Papa i porositi: “Ky shenjt i ri, shën Luigj Gonzaga ju ndihmoftë për t’i shndërruar vuajtjet e provat e përditshme në raste të çmuara bashkëpunimi me Zotin për shpëtimin e shpirtrave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.