Papa në audiencën e përgjithshme: t’i jepet fund dhunës e hakmarrjes në Nigeri, të
mbrohet liria e fesë.
Thirrje e fuqishme e Papës për Nigerinë, në audiencën e përgjithshme. Ati i Shenjtë
kërkoi të hiqet dorë nga rruga e hakmarrjes e çdo njeri ta praktikojë lirisht fenë
e vet. Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI audiencën e përgjithshme, mbajtur sot
paradite, në Sallën e Palit VI. Katekizmin Ati i Shenjtë ia kushtoi lutjes, sipas
Shën Palit, duke u përqendruar posaçërisht tek Kapitulli i parë i Letrës drejtuar
Efezianëve, që nis me një himn bekimi e falënderimi, drejtuar Zotit. Benedikti
XVI ndjek me shqetësim të thellë lajmet që vijnë nga Nigeria. Në audiencën e përgjithshme
mendimi i tij shkoi në vendin afrikan, ku, kujtoi, vijojnë atentatet terroriste, kryesisht
kundër besimtarëve të krishterë. Lartoi, prandaj lutjen për të vdekurit e për të
gjithë ata, që vuajnë: “U bëj thirrje shkaktarëve të dhunës t’i japin fund
menjëherë derdhjes së gjakut të njerëzve të pafajshëm. Uroj edhe të nisë sa më shpejt
bashkëpunimi ndërmjet të gjitha shtresave shoqërore të Nigerisë, që t’i pritet rruga
hakmarrjes e të gjithë qytetarët të punojnë për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën
mbretërojnë paqja e pajtimi e mbrohen plotësisht të drejtat e secilit, për ta praktikuar
lirisht fenë e vet”. Para kësaj thirrjeje, duke u ndaluar tek Letra drejtuar
Efezianëve, Papa nënvizoi se lutja jonë zakonisht është thirrje për ndihmë në çaste
të vështira, ndërsa duhet të jetë, mbi të gjitha, lavdërim e falënderim, lartuar Zotit.
Në vijim Benedikti XVI vuri në dukje edhe se lutja i pastron, i dlir dëshirat tona,
e edhe zemrat tona. Kur lutja ushqen jetën tonë shpirtërore, vërejti Shenjtëria e
Tij, ne bëhemi të aftë ta ruajmë në një ndërgjegje të pastër, atë që Shën Pali e quan
“Misteri i fesë”: “Lutja, që kthehet në zakon, në përpjekjen për të
qenë së bashku me Zotin, lind burra e gra, që nuk pushtohen nga egoizmi, nga dëshira
për të pasur, nga etja për të sunduar mbi të tjerët, për të marrë, por nga dëshira
për të dhënë, nga etja për të shërbyer, të frymëzuar nga vetë Zoti; e vetëm kështu
mund të çohet një rreze drite në errësirën e botës”. Hyji, tha më pas Papa,
duke vijuar t’i bëjë jehonë Apostullit të Popujve, na thirri në jetë e na thërret
në udhën e shenjtërisë. E, shtoi, këtë udhë Zoti e zgjodhi që para se të krijonte
botën. Jemi që prej kohëve të pakohë, në planin e Zotit, në mendimin e tij: “Thirrja
për shenjtëri, domethënë, bashkimi me Zotin, i përket planit të Tij të amshuar, që
shtrihet në histori e i pushton të gjithë burrat e gratë e botës, sepse është thirrje
universale. Zoti nuk përjashton askënd e plani i tij është thjesht plan dashurie”. Papa
vuri theksin edhe mbi bukurinë e Krijuesit, që duket në krijesat e tij, siç këndon
Shën Françesku i Asizit në ‘Këngën’ e tij të famshme, kushtuar krijesave: “Ka
rëndësi ta sodisim me vëmendje tani, në kohën e pushimeve, bukurinë e krijimit e të
shikojmë sesi në të, pasqyrohet bukuria e vetë Zotit”. Në çastin përfundimtar,
duke iu drejtuar shtegtarëve italianë, Papa përshëndeti në mënyrë të posaçme disa
grupe, ardhur nga famullitë e ndryshme, për të filluar kremtimet e vitit kushtuar
Shën Rrokut si dhe tetëqind vjetorit të bisedës së Shën Françeskut me dallëndyshet.
Ngjarja, që na çon tetëqind vjet mbrapa, na kujton sesi një ditë, në sa Shenjti
i fliste popullit në Sheshin e Avianos, një trumbë dallëndyshesh pingëronte aq me
forcë, sa Françesku u detyrua t’u drejtohej zogjve me fjalët: “Të dashura dallëndyshe,
tani më takon mua të flas, sepse ju, më duket, e kryet predikimin tuaj”. Dallëndyshet
heshtën, për çudinë e madhe të turmës, derisa Shenjti e përfundoi fjalën. E njerëzit
thanë të çuditur: “Ky njeri është me të vërtetë shenjt”. Rrëfimi i lashtë na kujton
se gjatë pushimeve mund edhe të flasim nga pak me natyrën që na rrethon, pasqyrë e
gjallë e vetë Zotit. Së fundi Papa, duke kujtuar se muaji i qershorit i kushtohet
Zemrës së Krishtit, i ftoi posaçërisht të rinjtë të mësohen për të dashur në shkollën
e kësaj Zemre Hyjnore.