2012-06-20 13:46:15

Në audiencën e përgjithshme, Papa bëri thirrje për Nigerinë, duke iu kundërvënë dhunës e hakmarrjes e duke kërkuar paqe e liri fetare.


Thirrje e fuqishme e Papës për Nigerinë, në audiencën e përgjithshme. Ati i Shenjtë kërkoi të hiqet dorë nga rruga e hakmarrjes e çdo njeri ta praktikojë lirisht fenë e vet. Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite, në Sallën e Palit VI. Po citojmë këtu fjalët e Atit të Shenjtë për Nigerinë:
“Ndjek me shqetësim të thellë lajmet që vijnë nga Nigeria, ku vijojnë atentatet terroriste, kryesisht kundër besimtarëve të krishterë. Ndërsa lartoj lutjen për të vdekurit e për të gjithë ata, që vuajnë, u bëj thirrje shkaktarëve të dhunës t’i japin fund menjëherë derdhjes së gjakut të njerëzve të pafajshëm. Uroj edhe të nisë menjëherë bashkëpunimi ndërmjet të gjitha shtresave shoqërore të Nigerisë, që t’i pritet rruga hakmarrjes e të gjithë qytetarët të punojnë për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën mbretërojnë paqja e pajtimi e mbrohen plotësisht të drejtat e secilit për ta praktikuar lirisht fenë e vet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.