2012-06-20 14:46:15

Kardinali Bertone: orvatje për destabilizimin e Kishës e për ndarjen e Papës nga të vetët.


“Jemi përballë dëshirës për të shkaktuar përçarje, që vjen nga djalli e krijon një atmosferë shpirtvogëlsie e mashtrimi, duke e harruar ose duke e shlyer fare udhën e ndritshme të Kishës e bashkimin me Papën”: kështu shprehet Sekretari i Shtetit të Vatikanit në një intervistë të gjatë, dhënë së përjavshmes italiane “Famiglia Cristiana”. Hirësia e Tij ndalet gjatë tek ngjarjet e fundit në Vatikan, duke nisur nga vjedhja e dokumenteve private, tek hamendja e komplotit e largimi i profesor Goti- Tedeskit nga drejtimi i Ior-it, duke bërë thirrje për të kërkuar të vërtetën dhe për t’i vlerësuar drejt faktet.
Kardinali Bertone pohon se po bëhen përpjekje për destabilizimin e Kishës e për ndalimin e veprimtarisë sqaruese e spastruese të Benediktit XVI. Përpjekje që, shton kardinali Bertone, kanë si pikësynim të krijojnë përçarje ndërmjet Atit të Shenjtë dhe bashkëpunëtorëve të tij, e edhe ndërmjet këtyre të fundit. Ndjehet fort, vijon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, një frymë e mbrapshtë, e cila synon të dëmtojë njerëzit, që punojnë me pasion e besim për të mirën e Kishës. Unë, vijon Hirësia e Tij, jam në qendër të trazirës së madhe dhe e jetoj këtë ngjarje me dhimbje të thellë.
Kardinali Bertone flet me “Familjen e Krishterë” për gjithçka po ndodh këto ditë në jetën e Kishës, duke vënë në qendër të vëmendjes zhdukjen e dokumenteve dërguar Atit të Shenjtë nga njerëz, që kanë të drejtën e privacy-s. Hirësia e Tij thekson se jemi para “shkeljes së një të drejte kushtetuese”, e cila duhet mbrojtur. Sekretari i Shtetit të Vatikanit përjashton çdo hamendje për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të kardinajve, të cilët disa mjete komunikimi i paraqesin në luftë njëri me tjetrin për të shtënë në dorë një “pushtet fantomatik”. Kardinali Bertone flet me bindje për frymën e kolegjialitetit e të unitetit në gjirin e Vatikanit që, shton, nuk është e lehtë ta gjesh gjetiu. Asnjë dyshim, në fund, për largimin të Goti-Tedeskit nga drejtimi i Ior-it, me nënvizimin se ngjarja nuk është pasojë e mungesës së transparencës, por e dëmtimit të lidhjeve ndërmjet këshilltarëve, për shkak të qëndrimeve të ndryshme, në dëm të punës.







All the contents on this site are copyrighted ©.