2012-06-20 14:46:39

Imzot Lahham: të krishterët e Lindjes së Mesme presin me shpresë vizitën e Papës në Liban


Përfunduan në Tunizi, punimet e konferencës me temë “Feja në një shoqëri në tranzicion. Tunizia flet me Perëndimin”, organizuar nga revista “Oasis”, themeluar nga kardinali Anxhelo Skola, aktualisht kryeipeshkëv i Milanos. Ndër relatorët, vikari i Patrikut të Jeruzalemit të Latinëve për Jordaninë, imzot Marun Laham, të cilin e ftuam në mikrofonin tonë për të folur mbi sfidat e “pranverës arabe” për bashkësinë e krishterë:
Të krishterët e vendeve të Magrebit (Libia, Tunizia, Algjeria dhe Maroku) janë kryesisht të huaj, që nuk janë prekur drejtpërdrejt nga “revolucioni arab”. Megjithatë, e kanë ndjekur me shumë interes, sidomos ata të krishterë, që vijnë nga vende demokratike. Ndërsa, përsa u përket të krishterëve arabë në Egjipt, Jordani, Siri, etj., ata janë prekur njësoj si myslimanët, kanë të njëjtën frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen. Duhet parë se ç’do të ndodhë tani në Egjipt, ku fituan zgjedhjet Vëllezërit Myslimanë, si do të reagojë bashkësia kopte, duke shpresuar që partia e Vëllezërve Myslimanë t’i mbajë premtimet.
Tunizia është vendi i parë arab, në të cilin filluan ndryshimet e sistemit. Sot, njerëzit kanë më tepër frikë, apo më shumë shpresë?
Më shumë shpresë. Tunizia është vendi arab, që deri tani, ka bërë më tepër hapa përpara drejt demokracisë. Sigurisht nuk ndryshohet diktatura në demokraci, njësoj si ndërrohet një këmishë. Procesi është i gjatë, por ecën mirë: u bënë zgjedhjet, u mblodh asambleja kushtetuese, u shkruajt Kushtetuta e re. Shpresojmë që brenda tetorit 2013 të organizohen zgjedhjet për pesë vitet e tjera. Vendi po shkon me hap të sigurtë drejt lirisë e demokracisë.
Ju nga Jordania, si e shihni gjendjen në Sirinë fqinje?
Nuk di të dalloj më kush thotë të vërtetën e kush gënjen, por një gjë është e sigurtë: në Siri, çdo ditë, vdesin 40-50 vetë… Regjimi është i fortë dhe i ashpër e të rinjtë protestojnë. Në Perëndim, politika është gjithnjë jo fort e qartë, për të mos thënë hipokrite… Na duhen profetë për të thënë të vërtetën e gjendjes siriane e për të kuptuar se ç’mund të ndodhë në të ardhmen.
Në këtë kuadër, sa i rëndësishëm është udhëtimi apostolik i Papës në Liban, në shtator?
Është tejet i rëndësishëm për të gjitha bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme, të cilat kanë frikë nga këto revolucione. Mendoj se prania e Atit të Shenjtë do të jetë mesazh inkurajimi e shprese për ne, do të na ftojë ta jetojmë fenë, aty ku na ka vënë Zoti, në botën arabe myslimane. Nëse Hyji na deshi arabë e të krishterë do të thotë se duhet ta jetojmë fenë këtu ku na vendosi e jo në Francë, në Itali, apo në Gjermani.







All the contents on this site are copyrighted ©.