2012-06-20 16:30:40

Atë Lombardi: Qendra e transmetimeve të Radio Vatikanit do të prodhojë më pak fusha elektromagnetike


Vazhdojmë bisedën tonë me drejtorin e përgjithshëm të Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardin, i cili këto ditë po sqaron disa aspekte lidhur me reduktimin e transmetimeve në valë të mesme e të shkurtra, që do të fillojë nga 1 korriku. Ju kujtojmë se nga ajo datë, edhe emisionin tonë mund ta ndiqni në internet, në faqen radiovaticana.org e përmes transmetimit të Radio Marisë në Shqipëri. Disa komente në media e kanë lidhur reduktimin e transmetimit në valë të mesme e të shkurtra me çështjen e elektrosmogut. Të tjerë, me kursimin e fondeve të Radio Vatikanit. E pyetëm atë Lombardin si i konsideron këto interpretime:
Fillojmë nga kursimi. Natyrisht, kjo ide është e bazuar, sepse, siç e dimë, jetojmë kohë të vështira nga pikpamja ekonomike, prandaj duhen përdorur mirë e duhen kursyer fondet në dispozicion. Në operacionin e ndërprerjes së transmetimeve në valë të mesme e në valë të shkurtra, aspekti ekonomik luan rolin e vet, pasi i jep kuptim vendimit të tanishëm, për të cilin po përgatiteshim që prej 15-20 vjetësh. Është kursim i rëndësishëm, si nga pikpamja energjitike - pasi transmetimet e këtij lloji duan shumë energji - ashtu edhe nga pikpamja e investimeve për aparaturat e nevojshme. Por nuk duhet të mendojmë se teknologjitë e reja nuk kushtojnë: kjo është shpesh utopi; kompiuterat ndërrohen çdo dy-tre vjet, pasi dalin të tjerë, më të mirë. Megjithatë, konsumi i energjisë është më i vogël, prandaj bilanci i përgjithshëm e ndjen kursimin, i cili bëhet mbi teknologjinë e jo mbi personelin e pagesën e tij.
E çështja e elektrosmogut?
Përsa i përket çështjes së elektrosmogut, është e qartë që nëse reduktohet me 50% koha e transmetimit, nga 1 korriku, do të kemi më pak fusha elektromagnetike përreth Qendrës së Shën Marisë në Galeria. Por kjo nuk është arsyeja e ndërprerjes së valëve, pasi ishim të sigurtë se nuk dëmtonim askënd, siç kam përsëritur shumë herë e siç dëshmon shkenca. Aktiviteti në valë të shkurtra do të vazhdojë edhe pas 1 korrikut, prandaj fushat elektromagnetike nuk do të jenë zero. Do të jenë gjithsesi, më pak e gjithnjë sipas normave ligjore.







All the contents on this site are copyrighted ©.