2012-06-19 14:18:57

Sinodi mbi ungjillëzimin e ri. Imzot Eteroviç: duhen gjetur përgjigjet për sfidat e reja të Kishës


“Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”: kjo është tema e Sinodit të ardhshëm të përgjithshëm të Ipeshkvijve, që do të zhvillohet në Vatikan, nga 7 deri më 28 tetor. Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqit “Instrumentum Laboris”, apo dokumenti i punës për Asamblenë e tetorit.
Në shkretëtirat e botës bashkohore, tha sot Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, në të cilat të krishterët eksperimentojnë mosbesimin dhe largimin nga feja, Kisha nuk duhet të ketë frikë të gjejë mjete e fjalë të reja për ta kumtuar Fjalën e Zotit, duke vazhduar rinovimin e saj të brendshëm, pas përvojës negative të mëkatit të anëtarëve të saj. Që në kapitullin e parë të dokumentit, ftesa për të rizbuluar zemrën e ungjillëzimit, takimin me Krishtin, pa u lëkundur nga opinionet, që e konsiderojnë ungjillëzimin si kufizim për lirinë e njeriut. Përkundrazi, pranimi i së vërtetës së Krishtit e bën njeriun më të lirë.
Shtatë, skenarët e ungjillëzimit të ri: ai kulturor, që sidomos në Perëndim karakterizohet nga shekullarizimi, hedonizmi e konsumizmi, por ka edhe elemente pozitive si kujdesi për njeriun, i rëndësishëm për të afruar me Kishën edhe jo besimtarët për iniciativa të përbashkëta. Vijojnë më pas, skenarët shoqërorë, ekonomikë e politikë, më të prekurit nga kriza financiare e nga fenomeni i emigracionit, që sjellin mosrespektimin e vlerave, nga njëra anë, por edhe më shumë solidaritet, nga ana tjetër. Para këtyre situatave bashkohore, bëhet urgjente arritja e paqes, e bashkëjetesës, e dialogut, e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në një botë, e cila, pas fundit të ideologjive komuniste e ndarjes në dy blloqe, po nxjerr në pah protagonistë të tjerë me synime dominimi e pushteti, si Islami e vendet aziatike. E rreziku bën fole edhe në skenarët shkencorë e komunikativë, në të cilët shkenca e teknologjia sillen si të ishin “fe të reja”, ndërsa teknologjitë dixhitale ngrenë në qiell egocentrizmin, duke e kthyer etikën në mjet spektakli.
Së fundi, skenari i fesë, i cili paraqitet si pozitiv në disa pjesë të botës, ku ka rilindje fetare, por negativ në të tjera, ku rritet rreziku i fondamentalizmit, i terrorizmit e shtohen sektet. Për të jetuar si të krishterë brenda këtyre skenarëve, dokumenti sinodal sugjeron së pari, autokritikën, apo denoncimin e asaj “apostazie të heshtur”, që i çon besimtarët të largohen nga praktika kristiane.
Kështu, mjetet e ungjillëzimit të ri bëhen dashuria, dialogu ekumenik i kuptuar jo vetëm si bashkëpunim i thjeshtë, por si lidhje për ta lënë veten të shndërrohemi nga Shpirti Shenjt, pasi ndarja e të krishterëve është shkandull për botën. E më tej, dialogu ndërfetar, i përqendruar në binomin e vërteta-liria, zhvillimi i famullive dhe promovimi i baritorisë së thirrjeve meshtarake, por sidomos guximi për ta vendosur Zotin në qendër të botës bashkohore, veçanërisht në Perëndim. Në dokument kritikohet “burokratizimi i skajshëm” i strukturave kishtare dhe formalizmi i meshës, që duhet të kthehen pranë njeriut të thjeshtë, pranë besimtarit, siç thekson në mikrofonin tonë pikërisht Sekretari i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç. Kujt i drejtohet ungjillëzimi i ri?
Të gjithë anëtarëve të Popullit të Zotit. Është e njohur shprehja e të Lumit Gjon Pali II, sipas së cilës, ungjillëzimi i ri duhet të jetë i ri në hov, i ri në shprehje, i ri në metodë! E gjithë Kisha, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, duhet ta bëjë më dinamike baritorinë e saj të zakonshme. Ungjillëzimi i ri u drejtohet veçanërisht njerëzve, që janë pagëzuar, por jo edhe ungjillëzuar si duhet, pra, atyre, që janë larguar nga Kisha. Ungjillëzimi i ri do t’u drejtohet pikërisht atyre, që ta rizbulojnë aktualitetin e Ungjillit, bukurinë e Jezu Krishtit e ta kremtojnë së bashku me vëllezërit në fe, në shpresë e në dashuri. E gjithë kjo do të sjellë hov të ri misionar, jo vetëm përsa i përket misionit në vendet e largëta, por edhe në vendet perëndimore, sepse për shkak të globalizimit, të lëvizjes së njerëzve, edhe mes nesh ka shumë, që nuk janë të krishterë: ata kanë të drejtë ta njohin Jezu Krishtin dhe Fjalën e Tij Shëlbuese e ne e kemi për detyrë t’u kumtojmë atyre Lajmin e Mirë, t’u tregojmë se si krishterimi e ndryshon jetën, na jep shpresën e gëzimin, që duam ta ndajmë me vëllezërit.
Në ç’mënyrë lidhet ungjillëzimi i ri me Koncilin II të Vatikanit, i cili kremton 50-vjetorin në tetor?
Synimi për t’i paraqitur njeriut bashkohor Ungjillin - i cili është po ai dje, sot e nesër – por në një mënyrë të re, më afër kulturës së njeriut të shekullarizuar, ai synim, që sot e quajmë ungjillëzimi i ri, i ka rrënjët tek Koncili II i Vatikanit: reformim në vazhdimësi.
Kohëve të fundit, Kisha Katolike është në faqet e gazetave për shkak të problemeve brenda saj. Sa mund ta ndihmojë ungjillëzimi i ri?
Ungjillëzimi i ri na kërkon të gjithëve të kthehemi në rrugën e Zotit. Të gjithë jemi të thirrur për ta shenjtëruar jetën e pa kthim të zemrës nuk mund të kemi ungjillëzim të ri. Duhet të marrim hov pra, të shndritur nga Shpirti Shenjt, të marrim forcë nga Hyji i Ringjallur, për t’i pranuar mëkatet tona e për t’u shndërruar nga Hiri i Tënzot. Në këtë perspektivë, Sinodi e tema e tij “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”, jam i sigurtë se do të na ndihmojë t’i kapërcejmë vështirësitë aktuale e ta shpallim Krishtin me gëzim e përvuajtëri, duke e ditur se fuqia e Zotit shprehet përmes brishtësisë sonë e se Hyji na përdor për të zgjuar Rrëshajë të reja në Kishë, për të mirën e mbarë botës.
Urimi juaj personal për Sinodin e ardhshëm?
Uroj të gjejë përgjigjet e duhura për sfidat e reja, që ka përpara Kisha në udhën e ungjillëzimit, rrugë të reja për transmetimin e Ungjillit me dinamizëm e metoda të tjera. Mjafton të mendojmë për kulturën dixhitale, për mundësitë e reja të mass mediave, që mund ta transmetojnë këtë pasuri të madhe të Kishës, që Zoti ia ka besuar njeriut bashkohor, i cili ka nevojë për të, shpesh pa e ditur as vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.