2012-06-19 14:19:53

Simpozium në Tunizi mbi “pranverën arabe”.


“Feja në një shoqëri në tranzicion. Si Tunizia interpelon Perëndimin”: kjo është tema e takimin dy ditor në Tunizi, organizuar nga komiteti shkencor i “Oasis”, revistë që i kushtohet dialogut islamo-kristian, themeluar nga kardinali Angelo Scola. Pikërisht kardinali i Milanos, përmes një videomesazhi, i hapi punimet e këtij simpoziumi, në të cilin marrin pjesë 50 personalitete kishtare e jo kishtare nga mbarë bota. Sipas kryeipeshkvit të Milanos, në Tunizi dhe Egjipt “gjendemi para një kthese” që “do të përcaktojë të ardhmen e revolucionit arab”. Ndër relatorët e takimit të “Oasis” është edhe drejtori i agjencisë “Asianews”, atë Bernardo Cervelllera, i cili me telefon nga Tunizi flet rreth punimeve të këtij simpoziumi:

Këto revolucione arabe, që përherë më tepër vënë pyetjen mbi identitetin e tyre islamik, si e interpelojnë Perëndimin? Kardinali Scola e sheh këtu mundësinë, nga njëra anë, të një shoqërie moderne e të krishterë, e këndej krishterimin bashkëkohor që e interpelon më shumë shoqërinë arabe bashkëkohore, e në anën tjetër, këto revolucione arabe i kërkojnë Perëndimit të shekullarizuar se çka ka bërë me përmasën e vet fetare.

Një sfidë që duhet pranuar në mënyrën absolute, domosdoshmërisht, e këtë kardinali Scola e thotë dhe e shkruan prej kohësh...

Është një sfidë tejet e rëndësishme, e edhe për arsye se Perëndimi pa shtyllën kurrizore të natyrës fetare është i destinuar të vetshkatërrohet ...

Duke shikuar në mënyrë të veçantë bashkësitë e krishtera: cilat sfida imponohen – për ata – “pranvera arabe”, duke shikuar sidomos në Tunizi, që është edhe argumenti kryesor i këtij takimi të organizuar nga Oasis?

Sfida që kemi është të shikojmë drejt së ardhmes së këtyre Vendeve, në të cilat duhet të ketë hapësirë dhe liri për të krishterët, për një shtetësi e qytetarësi – të themi kështu – me të drejtë të plotë. I ashtuquajturi “Revolucioni i jaseminëve”, që filloj këtu në Tunizi, ka ardhur nga jashtë si një flakë e madhe vullneti për dinjitet, për punë, për luftimin e korrupsionit e kështu me radhë, por edhe si dëshirë e lirisë. Këto revolucione, faktikisht janë të kërcënuara, prej rrymave fundamentaliste që duan aplikimin e sharisë, atë të ligjit islamik në gjithçka e për gjithçka. E ardhmja e kësaj bashkësie të krishterë është shumë e brishtë. Por më duhet të them, që disa relatorë të këtij simpoziumi, kanë nxjerrë në dritë edhe aspektin e brishtësisë së këtyre revolucioneve, sepse nuk janë stabilizuar akoma apo nuk kërkojnë stabilitet. Ekziston pra një udhë që duhet bërë e përshkuar, në të cilën si myslimanët e po kështu edhe të krishterët mund të japin kontributin e tyre.

Në çfarë mënyre Tunizia, rasti tunizian, e interpelon Perëndimin?

Rasti tunizian e interpelon Perëndimin para se gjithash për dy fakte. Njëri ka të bëjë me të kaluarën, sepse ky revolucion, që ka ndodhur në Tunizi, para se gjithash ka qenë një dëshirë e zemrës së tunizianëve e jo, absolutisht, një revolucion i importuar nga jashtë. Gjëja tjetër është që, sido që të jetë, ky revolucion konkretisht është një lloj “eksperimentimi” për të verifikuar mundësinë e një shoqërie në të cilën moderniteti e islami mund të shkojnë së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.