2012-06-19 14:21:56

Qendra e Transmetimeve të Radio Vatikanit mund të kthehet në teleport


Së bashku me drejtorin tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, po ju njoftojmë këto ditë për ndryshimet, që do të ndodhin në Radio Vatikan, duke filluar nga 1 korriku, datë e ndërprerjes së transmetimeve në valë të mesme e në valë të shkurtra. Nga ajo datë dëgjuesit tanë mund të na ndjekin përmes internetit në faqen radiovaticana.org dhe përmes ritransmetimeve të Radio Marisë në Shqipëri. Sot, atë Lombardi përqendrohet pikërisht në Qendrën e Transmetimeve të shën Maria në Galeria. Pas 55 vjetësh punë, kjo strukturë shkon në pension? Të dëgjojmë atë Lombardin:
Bëtë mirë që kujtuat 55 vjetët e Shën Marisë në Galeria: është një mjet i jashtëzakonshëm, do të thosha një brilant nga pikpamja teknike, për të cilin janë kujdesur me dashuri e mençuri, personat, që kanë punuar në këta dhjetëvjeçarë, nga zanafilla e deri më sot. Kaq është ndërtuar mirë e kaq mirëmbahet, sa shpesh vijnë teknikë nga jashtë për ta parë e për të shprehur vlerësimet e tyre. Këtë mjet e deshi Papa Piu XII për t’i shërbyer pjesës më të madhe të botës, në veçanti rajoneve në vështirësi, ku mungonte liria e fesë, ku popujt shtypeshin nga regjimet totalitare të Evropës Lindore nën komunizmin, por edhe për të arritur në vende të largëta si Kina, apo Vietnami, edhe ato të sunduara nga komunizmi, ose në vende të kontrolluara nga regjime pa liri. Ka qenë një mjet tepër i çmuar, sepse – e këtë duhet ta kujtojmë mjaft mirë – vetëm me valët e shkurtra, në historinë e shekullit të kaluar, ishte e mundur të arrihej, duke kapërcyer kufij, tek njerëz krejtësisht të izoluar nga bota. Pra, ka qenë një epope e vërtetë shërbimi për shumë njerëz: fillimisht me valët e shkurtra, nga vetë Vatikani, me mjete më pak të fuqishme natyrisht, e pastaj, nga Shën Maria në Galeria. Edhe tani, në dhjetëvjeçarët më të afërt, për shumë vende në zhvillim, për vende të varfëra, ose në vështirësi, ne transmetojmë me këtë mjet, fjalë, që janë shpresë për shumë vetë: mendoj për kontinentin afrikan, për Lindjen e Mesme, për sa e sa persona, që jetojnë në vende, ku edhe sot, nuk ka liri fetare e ku nuk është i mundur asnjë shërbim shpirtëror apo liturgjik, për shembull në Arabinë Saudite. Këto janë shërbimet e mëdha të këtij mjeti radiofonik. Tani ai bëhet më pak i nevojshëm për disa zona të botës, prandaj aktiviteti i tij mund të reduktohet. E mund të parashikojmë, për vitet e ardhshme, që reduktimet do të vazhdojnë paralelisht me lidhjen e pjesëve të tjera të botës me sistemin dixhital. Pra, historia, epopeja e kësaj Qendre Transmetimi po perëndon. Kjo është jeta! Ka teknologji që zhvillohen, arrijnë kulmin e pastaj, gradualisht, zëvendësohen me të tjera. S’ka asgjë dramatike në këtë, megjithëse ata që kanë punuar kaq vjet me pasion e vuajnë këtë fazë, u vjen keq: kemi të bëjmë me ndjeshmëri, që duhen respektuar absolutisht, por nuk kemi të bëjmë me probleme. Personalisht, do të vuaja shumë nëse do ta ndërprisnim këtë shërbim për disa zona të botës, ku është i nevojshëm. Por, nuk kemi ndërmend ta bëjmë këtë as tani, as në të ardhmen. Aktualisht, po mendohet për ristrukturimin e Qendrës së Shën Marisë në Galeria, duke e kthyer në një qendër telekomunikacioni për Selinë e Shenjtë, në formën e “teleportit” për shembull, pra, me antena që përdorin kryesisht satelitët. Ose me baza të vlefshme për shërbimin në rrjet. Duhet ta përcaktojmë akoma, por mendojmë se qendra do të ekzistojë edhe në të ardhmen.
Nesër, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi do të flasë për valët elektromagnetike të Qendrës së Shën Marisë në Galeria e për elektrosmogun.







All the contents on this site are copyrighted ©.