2012-06-19 11:05:03

Kisha katolike nëpër botë vijon të martirizohet


Siri-Homs: “Na shpëtoni, kemi uri”: është thirrja e dëshpëruar e familjeve të Homsit, në Siri, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të organizatave humanitare. Gjendja keqësohet me shpejtësi të rrufeshme e rreth 800 civilë, gjysma myslimanë sunnitë e gjysma të krishterë, mbeten plotësisht të izoluar në qendër të Homsit. Sipas njoftimeve dhënë agjencisë Fides nga Komiteti, që po dialogon me ushtrinë e me kryengritësit për t’i liruar civilët, familjet nuk kanë më ushqim, as ilaçe. Rrezikohen të vdesin nga uria. Ndërmjet tyre ka pleq e fëmijë, në gjendje kritike. Ndërhyrja humanitare është më se urgjente. Rebelët e ngujuar në qytet, kanë pohuar se mund ta lejojnë daljen e civilëve vetëm në mbrëmje, pas orës 21.00. Por në këtë orë bie errësira, fillon ndalimi i qarkullimit e civilët, po të dalin jashtë, mund të vriten lehtësisht nga zjarri i kryqëzuar i armëve kundërshtare. Prej këndej, askujt nuk ia mban të lëvizë.
Ndërsa vëzhguesit e OKB-së kanë njoftuar ndërprerjen e përkohshme të ndërhyrjes së tyre, Komiteti i bisedimeve, i përbërë nga laikë, rregulltarë e prijës të shoqërisë civile, kërkon ndalimin e zjarrit të paktën për ndonjë orë, aq sa të hyjnë ndihmat humanitare në Homs. Po deri tani asnjëra nga palët në konflikt nuk duket se e ka ndër mend t’i përgjigjet kësaj kërkese kaq urgjente e kaq humane. Pa llogaritur shqetësimin e shpërndarjes së ndihmave, që mund të mos arrijnë kurrë atje ku duhet, sepse ka mundësi edhe të sekuestrohen.

Liban: Konflikti në Siri, gjendja e vështirë e rreth 300 mijë greko-katolikëve melkitë, të pranishëm në vend, emërimi i ipeshkvit të ri greko-melkit të Homsit, janë disa nga argumentet në rend të ditës, në Sinodin e Kishës greko-katolike melkite, që u hap dje në Beirut të Libanit. Tepër delikate, zgjedhja e ipeshkvit të ri të Homsit, aktualisht seli vakante, ku zjen konflikti ndërmjet trupave të rregullta e kryengritësve të Ushtrisë siriane të Çlirimit. Në sa popullata përpiqet të dalë, për të shpëtuar, edhe ipeshkvi i ri do të hyjë pikërisht për të shpëtuar, por jo veten!

Indi, Orisa: fantazma e persekutimeve të reja endet përsëri mbi bashkësinë e krishterë të shtetit indian të Orisës. Një prift protestant dhe e gjithë bashkësia e një fshati të krishterë, rreth 12 familje, u sulmuan dhunshëm e u plagosën nga një grup i organizuar, prej rreth 50 fanatikësh hinduistë. Në Kishat vendase është krejt i freskët kujtimi i progromit të Kandhamalit,ku gjurmët e masakrave kundër të krishterëve, janë ende të dukshme. Këtë radhë dhuna shfreu mbi distriktin e Balasores. Në sa besimtarët e krishterë sodisin si endet përsëri fantazma e dhunës së hinduistëve e ikin nga sytë këmbët për të shpëtuar, policia siguron se do të marrë masa për t’u zënë pritë kriminelëve e për t’i asgjësuar. Masat filluan me kapjen e një arsenali prej më se 50 bombash dore e arkash dinamiti në fshatin Gambhari. Sipas Fides, lëndët shpërthyese ruheshin atje, të gatshme për një sulm të ri antikristian në Orisë, sipas modelit të atij, që u organizua më 2008.

Sudan: Autoritetet e Khartumit kanë pushtuar tri shkolla katolike, duke u përpjekur të sekuestrojnë edhe një kishë. Njoftimin e jep Catholich Radio Network (Crn), që citon burime sudaneze. Sipas burimeve, autoritetet kanë pushtuar dy shkolla katolike, në Mayo e në Omdurman. Nuk dihet në se kishte apo jo nxënës brenda shkollave, të cilat autoritetet duan t’i përdorin për studentë të Sudanit të Jugut, që janë duke u dëbuar nga Khartumi.
Kisha ka bërë kërkesë në gjykatë për rikthimin e shkollave.

Meksikë: Dy javë para zgjedhjeve presidenciale, imzot Raúl Vera López, ipeshkëv i dioqezës së Saltilos, i bën thirrje popullsisë të mos e shesë votën, sepse korrupsioni, që i ka pasuruar njerëzit aq sa ta paguajnë, me këtë veprim do të vijojë edhe më keq në të ardhmen. Mos e shisni votën! Është çështje morale. Kur një vend në qeveri zihet me korrupsion, korrupsioni do t’i shtrijë më tej metastazat ekzituese. Duke thelluar situatën aktuale, në të cilën vlon krimi. “Ndodhin vrasje, zhdukje, rrëmbime, krime të shëmtuara, e askush nuk dënohet. Nuk dënohet, denoncon ipeshkvi, sepse sundojnë të korruptuarit, sepse gjithçka shitet e blihet... E është vërtetë shkandulluese t’i dëgjosh pikërisht të korruptuarit duke pohuar, në të gjitha mjetet e komunikimit, se do ta zhdukin korrupsionin, të cilin njerëzit e shikojnë, e ndjejnë, e jetojnë ditë për ditë në njëmijë forma, nga më të shëmtuarat”.Mos e shisni votën as veten! Thirrja e ipeshkvit meksikan jehon në mbarë botën, atje ku korrupsioni blen votat e vret kundërshtarët, duke besuar se kriminelët mund ta kalojnë gjithë jetën pa u dënuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.