2012-06-18 17:22:22

Kongresi Eukaristik i Dublinit. Papa: shpërdorimet, plagë e tmerrshme në historinë e Kishës irlandeze.


“Liturgjia paskonciliare i afroi më shumë besimtarët pranë shpirtit të Meshës, por pa harruar se nuk mungojnë as keqkuptimet e parregullsitë”. Është kjo një nga vërejtjet kryesore të Benediktit XVI në videomesazhin, ndjekur nga mijëra njerëz, që morën pjesë të dielën pasdite në Meshën e madhe, me të cilën u mbyllën punimet e Kongresit të 50-të Eukaristik Ndërkombëtar të Dublinit. Të forta, fjalët e Papës, për klerin e ngarkuar me përgjegjësinë e tmerrshme të dhunës mbi të miturit: “veprime të frikshme, tha Benedikti XVI, që minuan besimin e njerëzve në mesazhin e Kishës”. Ati i Shenjtë dha edhe njoftimin për selinë e ardhshme të Kongresit: do të jetë qyteti i Çebu-së, në Filipine.RealAudioMP3

“Një mister”. Gati i çarmatosur, Benedikti XVI, përballë tmerrit. Papa iu drejtua nga Roma atyre, që prej një jave, depërtuan në thellësi të Sakramentit të Eukaristisë e që kërkojnë forcë e dritë në Bukën e jetës, për ta ndjerë me zemër e për ta prekur me dorë se Kisha irlandeze është vërtet në udhën e përtëritjes. Por Papa nuk mund të heshtë: “Jeni trashëgimtarë të një Kishe, që ka qenë forcë e pushtetshme në botë, nënvizoi, duke kujtuar breznitë e murgjërve, martirëve e misionarëve të këtyre trojeve që e kumtuan me heroizëm të rrallë Ungjillin e Krishtit”.
E megjithatë, ndokush, pohoi me dhimbje të thellë Ati i Shenjtë, e njollosi në mënyrë të llahtarshme këtë histori të madhe feje. E njollosën disa priftërinj e rregulltarë, të cilët i shpërdoruan pikërisht ata, që duhet t’i mbronin:
“Si mund ta shpjegojmë faktin që njerëz, të cilët e kanë marrë rregullisht Korpin e Krishtit e i kanë rrëfyer mëkatet e veta në Sakramentin e Rrëfimit, arritën deri në këtë fyerje kaq të rëndë? Mbetet mister! Por sigurisht krishterimi i tyre nuk ushqehej më nga takimi gazmor me Jezu Krishtin: ishte bërë thjesht një zakon”.
Feja e zakoni janë rrugë që nuk kryqëzohen. Papa përdori fjalë, të cilat dukej se nuk e përshkruanin, por i këndonin dhuratës së pashembullt, që Zoti i bëri Kishës dhe njerëzimit, duke i dëftuar Krishtin:
Feja jonë katolike, e mbushur plot me ndjesinë e thellë të pranisë së Zotit, e rrëmbyer nga bukuria e krijimit, që e rrethon, e pastruar përmes pendesës personale e vetëdijes të faljes së Zotit, është trashëgimi që sigurisht përsoset e shujtohet, kur vendoset rregullisht mbi elterin e Zotit në Flijimin e Meshës”.
E këtu Benedikti XVI bëri një vërejtje tjetër të rëndësishme. Feja, që përsoset mbi elterin e Meshës, ka nevojë për kremtime të mbushura me gëzim, të thjeshta, por të përgatitura në mënyrën më të denjë e më të nderueshme, që është e mundur. Është e qartë që Koncili II i Vatikanit, vërejti Papa, duke risuar liturgjinë, arriti një rezultat shumë të madh...
“... por është po aq e qartë edhe se ka pasur shumë keqkuptime e parregullsi. Rismi i formave të jashtme, i dëshiruar nga Etërit Konciliarë, synonte ta bënte më të lehtë hyrjen në thellësitë e mëdha të misterit”.
Por kjo dëshirë mbeti e parealizuar plotësisht sepse, shpesh herë, vërejti Benedikti XVI, rishikimi i formave liturgjike mbeti i sipërfaqshëm, ndërsa ‘pjesëmarrja aktive’ u ngatërrua me veprimtarinë e jashtme:
“Prandaj mbetet shumë për të bërë në rrugën e risimit të vërtetë liturgjik. Në një botë të ndryshuar, me sytë gjithnjë të ngulur mbi vlerat materiale, duhet të mësohemi ta njohim përsëri praninë misterioze të Zotit të ngjallur, i vetmi që mund t’i japë frymë e thellësi jetës sonë”.
Më pas Papa i foli Kishës për veprimtaritë e tij të ardhshme, ndërmjet dy ngjarjeve të mëdha: Vitit të Fesë dhe 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit, duke e mbyllur Kongesin e Dublinit, me sytë ngulur mbi Kongresin e ardhshëm, mbi kontinentin, që për Kishën është tokë e pranisë së lashtë e të re të martirëve, mbi Azinë:
“Njëkohësisht dëshiroj t’ju ftoj të bashkoheni me mua për t’i kërkuar Zotit bekimin mbi Kongresin e ardhshëm Eukaristik Ndërkombëtar, që do të mbahet më 2016, në qytetin e Cebu-së”.
Popullit të Filipineve, përfundoi Ati i Shenjtë, i drejtoj përshëndetjen më të ngrohtë, duke e siguruar për afërsinë time në lutje gjatë gjithë periudhës të përgatitjes së këtij takimi të madh kishtar.
Videomesazhi i Papës u transmetua gjatë kremtimit përfundimtar të Kongresit të 50-të Eukaristik Ndërkombëtar të Dublinit.







All the contents on this site are copyrighted ©.