2012-06-16 08:59:44

Atë Lombardi mbi risitë e transmetimeve të Radio Vatikanit: teknologjitë vjetërohen, misioni mbetet


Zgjoi interes e komente të shumta në media, lajmi se Radio Vatikani do të ndërpresë transmetimet në valë të mesme e në valë të shkurtra, duke filluar nga 1 korriku. Edhe emisionin tonë do të mund ta ndiqni përmes internetit, në faqen radiovaticana.org, përmes satelitit dhe përmes ritransmetimit të Radio Marisë në Shqipëri. Drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, sqaron arsyet e këtij vendimi:......RealAudioMP3
Para së gjithash, dua të saktësoj se Radio Vatikani rinovohet vazhdimisht nga pikpamja teknologjike, madje, ka lindur si risi, falë Guljelmo Markonit, i cili e ka ndërtuar. Pra, gjithnjë, në këto 80 vjet, teknikët tanë e kanë ndjekur me vëmendje zhvillimin e telekomunikacionit, sidomos përsa i përket radios, në mënyrë që Radio Vatikani të ishte pararojë në çdo epokë. Këto vite, shndërrimet teknologjike kanë qenë të shumta. Unë vetë jam këtu që prej 22 vjetësh: në vitet e para ’90 filluam transmetimet me satelit, e në fund të tyre, përdorimin e internetit. Ky zhvillim na ka dhënë mundësi gradualisht të jemi të pranishëm në botën e komunikimit, me mesazhin e misionin tonë, në platforma të ndryshme. Sot, shohim se disa teknologji – forca jonë në vite – tani bëhen më pak thelbësore e arrijnë tek një pjesë e vogël e publikut tonë. Pjesa më e madhe e dëgjuesve na ndjek përmes rrugëve të tjera, dy në veçanti. Njëra ka të bëjë me programet në radio: ato nuk dëgjohen drejtpërsëdrejti, por nga ritransmetimi i radiove lokale e rajonale, që përdorin gjuhë të ndryshme e që i marrin programet tona përmes satelitit, ose internetit. E kështu na dëgjojnë pjesa më e madhe e publikut në të gjithë botën. Përveç kësaj, në Internet, programet mund të dëgjohen drejtpërdrejt, por edhe më vonë, përmes shërbimit “on demand” e “podcast”. Janë udhë që shtohen. Këto mënyra dëgjimi ia kanë zënë gradualisht vendin dëgjimit përmes valëve elektromagnetike, të transmetuara nga Roma. Prandaj, transmetimi me valë të shkurtra e me valë të mesme nuk është më aq i nevojshëm sa më parë. Është mirë të kursejmë për t’i përdorur fondet ndryshe.
Të dashur dëgjues, në emisionet e ardhshme do të vijojmë t’ju flasim, së bashku me atë Federiko Lombardin, për këtë ndryshim epokal në Radio Vatikan, duke iu dhënë vazhdimisht informacione mbi mënyrën si mund të na ndiqni.







All the contents on this site are copyrighted ©.