2012-06-15 11:10:23

Zemra e Krishtit, pohon se dashuria e krishterë është konkrete


Në muajin qershor besimtarët katolikë lidhen tradicionalisht me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, festë të cilën Kisha e kremton sot. Ky devocion nisi të përhapej aty nga gjysma e dytë e 1600-tës përmes veprës së Margeritës Maria Alakok: por rrënjët e kësaj përshpirtërie janë shumë më të thella: fillojnë atë çast kur një ushtar romak ngulte heshtën e tij në brinjët e Jezu Krishtit të mbërthyer në kryq, duke hapur një plagë nga e cila gurroi gjak e ujë, gurroi dashuria plot mëshirë e Hyjit. Është, siç e thekson shpesh Benedikti XVI, një dashuri shumë konkrete, pikërisht sepse Zoti u mishërua, u bë njeri. E Papa edhe kohët e fundit, gjatë një takimi të dioqezës së Romës, i nxiti besimtarët të mos kumtojnë një krishterim pa mish e pa gjak, pa vepra, që nuk është në gjendje ta prekë njeriun drejt e në shpirt.
Porcila është simbolika e Zemrës së shenjtë të Krishtit?
Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç ka thënë Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar.
Kur lindi ky devocion?
Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.
E Papa Benedikti XVI na fton të zbulojmë bukurinë dhe gëzimin e fesë, duke na treguar edhe rrugën: veprat konkrete. “Dashuria për të afërmin – pohon Papa – është sot, më shumë se kurrë, impenjim konkret: “I krishteri nuk kënaqet vetëm me fjalë e as me ideologji të rreme, por kujdeset ta ndihmojë vëllain nevojtar duke e vënë vërtetë në lojë gjithë vetveten, pa u mjaftuar vetëm me ndonjë vepër të mirë”. Papa i nxit të gjithë besimtarët ta dëshmojnë me guxim Ungjillin para botës së sotme, duke u çuar shpresën të varfërve, të vuajturve, të braktisurve, të dëshpëruarve, atyre që kanë etje për lirinë, për të vërtetën, për paqen.
Duke i bërë mirë të afërmit e duke punuar për të mirën e përbashkët – nënvizon Ati i Shenjtë Ratcinger – dëshmoni se Zoti është dashuri. Nuk është fjala për aktivizëm të pastër, për filantropi të thjeshtë ose për solidaritet të zakonshëm. Në të vërtetë njeriu nuk mundet vetëm të dhurojë, duhet edhe të marrë: duhet të vijojë gjithnjë ta shuajë etjen në atë burim, nga i cili gurrojnë lumenj uji të gjallë, do të thotë në Jezu Krishtin, nga zemra e shporuar e të cilit shpërthen dashuria e Zotit. E gjithçka nis nga heshtja, nga lutja, nga siguria se Zoti do të na dojë me një dashuri plot pasion, shumë më të madhe se pabesitë tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.