2012-06-14 13:04:49

Kongresi Eukaristik i Dublinit. Intervistë me imzot Uiljam Shomalin, ipeshkëv në Tokën Shenjte.


Meshtarë e laikë: t’i vënë të gjitha dhantitë në shërbim të Eukaistisë”, është një nga temat me rëndësi, mbi të cilën po reflektohet në Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar të Dublinit. Në ngjarjen e madhe eukaristike marrin pjesë 20 mijë vetë, ardhur nga mbarë bota. Ndërmjet tyre, edhe një përfaqësi e të krishterëve të Lindjes së Mesme, posaçërisht nga Jordania, Palestina e Izraeli. Intervistuam, me telefon, nga Irlanda, imzot Uiljam Shomalin, ipeshkëv ndihmës i Patriarkanës të Latinëve në Jeruzalem:

Përgjigje: - Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e pranisë sonë, si Tokë Shenjte, në Irlandë. Posaçërisht në këtë çast. Po ju rrëfej se nuk ishte aspak e lehtë të organizohej një shtegtim, për të ardhur deri këtu. Vetëm për të marrë vizën për të krishterët palestinezë e jordanezë, na u desh të jetonim një dramë të vërtetë, tejet të vështirë. Shumë kërkesa, e edhe më shumë kohë për të siguruar vizat. Por ne, prapëseprapë nuk hoqëm dorë e ja, jemi këtu. Në se miliona shtegtarë vijnë në Tokën Shenjte, e ne jemi të kënaqur për këtë, mendoj se edhe irlandezët janë po aq të kënaqur për gjithë këtë afërsi nga mbarë bota, në kohë të vështira e në një rast të pashoq: në një Kongres Eukaristik, që mbahet çdo katër vjet. Irlanda ka nevojë për solidaritetin tonë. E ne e ndjemë këtë e vendosëm të vinim. Jemi 33 përfaqësues, një ipeshkëv e katër meshtarë, të të gjitha riteve, ndërsa të tjerët janë laikë nga Jordania, Palestina, Izraeli, por edhe arabo-amerikanë të diasporës, që deshën të bashkohen me ne. E kështu u bëmë grup ndërkombëtar, edhe pse vijmë nga Toka Shenjte.

Pyetje: - Prania juaj këtu, në Irlandë, tregon me forcë të veçantë ç’do të thotë ta jetosh Eukaristinë, ta jetosh bashkimin. Ç’mund t’u themi besimtarëve të mbarë botës për këtë dhuratë?

Përgjigje: - Eukaristia është dhurata më e madhe, që na bën Zoti, sepse Ai na jep vetveten, përtërin kushtimin ndaj Atit, për ne, është shëlbimi në veprim, që vijon. Këtu vijmë dhe për shpirtin tonë, për të thelluar kuptimin e Eukaristisë, si prani e dhuratë, të cilën Jezusi ia kushton Atit, por edhe si kushtim të vetvetes, bashkuar me atë të Krishtit, që merr vlerë prej Tij: Eukaristia ka shumë kuptime të thella e njëri nga qëllimet e Kongresit Eukaristik është pikërisht matja e këtyre thellësive.







All the contents on this site are copyrighted ©.