2012-06-13 15:36:48

Benedikti XVI vlerëson lart dëshminë e Nënë Terezës


Benedikti XVI kujtoi sot, gjatë audiencës së përgjithshme, të Lumen Nënë Terezë dhe gjermanin alsacian, Albert Shvaicer, misionar në Afrikë, mjek e muzikant, që të dy “Çmim Nobel për Paqen” dhe frymëzues të mëdhenj të solidaritetit.
Sa më shumë lutemi, tha Papa duke e kujtuar të Lumen shqiptare, aq më shumë shikojmë se jeta jonë shndërrohet e gjallërohet nga forca konkrete e Zotit. Kështu i ndodhi, për shembull, së Lumes Terezë të Kalkutës.
Pikërisht në kohët e shkretëtirës shpirtërore, nëpër të cilën iu desh të përshkohej, kujtoi Ati i Shenjtë, ajo vijoi të kundrojë me ngulm Jezu Krishtin. Në këtë kundrim gjeti forcën e guximin e pabesueshëm për ta parë Zotin në fytyrën e njerëzve të varfër e të braktisur, ashtu e brishtë, siç ishte.
Kundrimi i Krishtit në jetën tonë, nuk na largon nga realiteti, përkundrazi, na nxit të marrim pjesë edhe më shumë në fatet e njerëzve, sepse Zoti, duke na bërë për vete në lutje, na mundëson të jemi të pranishëm e të afërt për çdo vëlla, në dashurinë e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.