Papa hapi Simpoziumin kishtar dioqezan të Romës, e foli mbi Pagëzimin si zgjedhje
ndërmjet gënjeshtrës e së vërtetës.
Tridhjetë minuta për një Lectio divina të profilit të lartë teologjik: ky është fjalimi
që Papa propozoi të hënën në mbrëmje, më 11 qershor, në bazilikën e Shën Gjonit në
Lateran, me rastin e përurimit të simpoziumit kishtar të dioqezës së Romës. Ati i
Shenjtë Ratcinger i ftoi të pranishmit të reflektojnë mbi domethënien e sakramentit
të Pagëzimit – “hap i parë i Ringjalljes” – duke nënvizuar aktualitetin, e në përcaktimin
e synimit pohoi se “pagëzimi nuk është akt i një ore, por realitet i tërë jetës sonë”.
“Shkoni, e bëni dishepujt të gjithë popujt dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit
e të Shpirtit të Shenjtë” (krh Mt 28,19). Pikërisht nga këto fjalë të Ungjillit të
Mateut është marrë tema e Simpoziumit kishtar të dioqezës së Romës, të cilin Papa
Benedikti XVI e përuroi dje në mbrëmje në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Ati
i Shenjtë Jozef Ratcinger foli për Pagëzimin, si dhuratë e Zotit, që na bën vëllezër,
si hap i parë drejt Shëlbimit. Vetë Jezusi pagëzoi “në emër të Atit, të Birit e të
Shpirtit Shenjt”, prandaj, sqaroi Papa, Sakramenti i Pagëzimit na zhyt në hyjninë
e Trinisë Shenjte; Zoti bëhet emri ynë e ne dëshmitarët e Tij. Pra, pagëzimi na bashkon
me Hyjin në një jetë të re: “Pagëzimi nuk është kurrë një akt i vetmuar, për
“mua”, por është gjithnjë, domosdoshmërisht, bashkim me gjithë të tjerët, bashkim
e solidaritet me krejt Korpin e Krishtit”. Edhe riti sakramentor, vazhdoi Benedikti
XVI, na ndihmon të kuptojmë ç’është Pagëzimi. Dy elementet e tij janë fjala e uji.
Uji është simbol i jetës së re në Krishtin, por edhe i vdekjes, përmes së cilës arrihet
në Ringjallje, e cila është, edhe ajo, jetë e re. E pastaj, fjalët e ritit të Pagëzimit,
që shndërrojnë jetën: “Në to realizohet vendimi, në këto fjalë gjendet krejt
udha jonë e Pagëzimit, si para, ashtu edhe pas Pagëzimit. Prandaj, me këto fjalë e
me simbolet e tij, Pagëzimi shtrihet gjatë gjithë jetës sonë”. Papa u ndal
në veçanti, mbi tri mohimet, që bëjnë pjesë në ritin e Pagëzimit: kur i biem mohit
tundimeve të së keqes, shpjegoi Ati i Shenjtë, do të thotë se heqim dorë edhe sot
e gjatë gjithë jetës, nga një mënyrë mendimi e veprimi, për të cilën nuk ka rëndësi
e vërteta, por vetëm dukja, efekti, sensacioni. Në fakt, me pretekstin e së vërtetës,
rrënohen njerëz: “Një kulturë, që nuk e kërkon të mirën, në të cilën moralizmi
është një maskë, që në të vërtetë, ngatërron, krijon konfuzion e shkatërrim. E kundër
kësaj kulture, në të cilën gënjeshtra paraqitet me veshjen e së vërtetës e të informacionit,
kundër kësaj kulture, që kërkon vetëm mirëqënien materiale e mohon Zotin, themi ‘i
biem mohit’”. Të heqim dorë nga mëkati për të jetuar lirinë e bijve të Zotit,
do të thotë të kuptojmë se mëkati nuk është fjalë e kotë e se liria nuk është larg
fesë, siç mendohet sot, apo larg Zotit. Zoti lejoi vdekjen e Birit të tij të vetëm
për shlyerjen e mëkateve tona, prandaj jeta në mëkat është kundër lirisë sonë. E së
fundi, Papa përmendi mohimin e tretë të ritit të Pagëzimit, kur i biem mohit djallit
të mallkuar. Kjo ka kuptimin e “po”-së për Zotin e të “jo”-së për të keqin, që dëshiron
të bëhet Zot në këtë botë, shpjegoi Benedikti XVI. Riti i Pagëzimit shoqërohet
edhe nga besojma e fesë. Nuk është thjesht formulë, tha Papa, por është dialog me
Hyjin, është veprimi i Zotit në bashkim me ne. Vetëm nëse e pranojmë Krishtin, arrijmë
të vihemi për udhë me Të e të kuptojmë të vërtetat e Tij. Në fund, Ati i Shenjtë reflektoi
mbi Pagëzimin e fëmijëve, në vazhdën e pyetjeve, që ngrenë ata, të cilët mendojnë
se nuk është e drejtë të pagëzohen fëmijët që në moshë të njomë, pasi nuk kanë mundësi
të vendosin vetë. Benedikti XVI këshilloi që pagëzimi i fëmijëve të bëhet pasi prindërit
të kenë ndjekur katekizmin e Kishës Katolike e të jenë thelluar në të. Por, sqaroi
Papa, në thelb, Pagëzimi është jetë e re, justifikim i vetë ekzistencës, e cila na
dhurohet pa na pyetur më parë.