2012-06-12 16:08:01

Mbledhja e Komisionit të Selisë së Shenjtë e Izraelit. Imzot Balestrero: qëndrimi i Vatikanit mbi Jerusalemin Lindor nuk ka ndryshuar.


Sot, në Vatikan, u mbledh në nivelin plenarë Komisioni bilateral ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit të Izraelit për vazhdimin e negociatave mbi aplikimin e Marrëveshjes ekonomike. Takimi u kryesua nga zëvendës sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, imzot Ettore Balestrero, e nga zëvendësministri i Jashtëm izraelit, Danny Ayalon. “Negociatat – lexohet në një deklaratë për shtyp – janë zhvilluar në një atmosferë të përzemërt e pozitive” dhe janë bërë “përparime të dukshme” drejt finalizimit të Marrëveshjes. Gjatë mbledhjes është vendosur të caktuar një mbledhje e re e Komisionit më 6 dhjetorin e ardhshëm, pranë Ministrisë së punëve të Jashtme izraelite. Në kuadrin e përfundimit të detyrës së tyre, Komisioni ka falënderuar kryeipeshkvin Antonio Franco, nunc i Vatikanit në Izrael, e ambasadorin izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Mordechay Lewy për “punën shembullore”. Mbi rëndësinë e këtij takimi bilateral, imzot Ettore Balestrero në mikrofonin e Radio Vatikanit tha.

Janë bërë hapa të rëndësishëm përpara, e kjo na bënë të shpresojmë në një të ardhme të mirë, por ende janë disa çështje që duhen zgjidhur, para nënshkrimit të Marrëveshjes, në të cilin po punohet tashmë që 13 vjet.

Ka pas një alarm në qarqet Palestineze për faktin që Selia e Shenjtë, me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje do ta njihte në mënyrë indirekte sovranitetin e Izraelit mbi Jerusalemin Lindor e mbi territoret tjera të okupuara me luftën e vitit 1967.

Marrëveshja për të cilën po punohet ka të bëjë me jetën, me aktivitetet dhe regjimin fiskal të Kishës Katolike në Izrael. Në Marrëveshje do të lihen anash diskutimet territoriale: Nuk do të flitet për Jerusalemin Lindor, as për lokalitete në Cisjordani.

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë mbi Jerusalemin Lindor ka ndryshuar?

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë nuk ka ndryshuar. Është ripohuar në “Basic Agreement” ndërmjet Selisë së Shenjtë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës; është rikujtuar në rrethana të ndryshme e do të jetë përsëri në “Marrëveshjen Globale” me OLP, aktualisht në fazën e përpunimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.