2012-06-12 11:01:04

Kongresi i 50-të Eukaristik në Dublin: sintezë e programit, përmes intervistës me atë Vitor Bokardi


Dje, në Dublin të Irlandës, u hapën punimet e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar. Të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shqipërisë, që po marrin pjesë aktive në veprimtaritë kryesore të kësaj ngjarjeje të madhe ndërkombëtare, që e mbledh, realisht e shpirtërisht, gjithë Kishën katolike rreth Eukaristisë. Për të na rikujtuar shkurtimisht programin e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, që filloi dje e do të përfundojë të dielën e ardhshme, në mikrofonin tonë, atë Vitor Bokardi, i sekretarisë së Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, nga Dublini:

Përgjigje: - Iu kushtua ekumenizmit dita e djeshme. Kremtimet e paradites i kryesoi ipeshkvi anglikan i qytetit të Dublinit. Ishte kremtim ekumenik, kushtuar Sakramentit të parë të krishterë, për të kujtuar rrënjën e përbashkët, Pagëzimin. Pastaj, metoda e Kongreseve Eukaristike, e eksperimentuar tashmë, parashikon fillimin e diskutimeve rreth shumë temave të planifikuara. Nisën dëshmitë e njerëzve, që dinë ta shpjegojnë Ungjillin posaçërisht përmes veprave të bamirësië e të ungjillëzimit, në të katër anët e botës. Pastaj, përmes gjesteve të tjera, të ndryshme, që kryhen ditë për ditë. Kryesisht gjestit të pjesëmarrjes në kremtimin e Eukaristisë, i cili mbetet gjithnjë zemra e Kishës. Nuk ka kremtime private, e as për kombet e ndryshme, por vetëm kremtime të përbashkëta, në të cilat janë të pranishëm të gjithë delegatët. Të gjithë shtegtarët e ardhur nga të katër anët e botës, jetojnë një Eukaristi të vetme, për të dëshmuar, kështu, vërtetësisht, kuptimin e bashkimit kishtar. Pastaj programi është i pasur edhe me shumë veprimtari të tjera, të gjitha rreth Eukaristisë, e cila mbetet gjithnjë në qendër: veprimtari kulturore, artistike, ekspozita e stenda. Në përfundim, të dielën, më 17 qershor, do të organizohet “Statio Orbis”, domethënë takimi i gjithë të pranishmëve, në një kremtim të vetëm eukaristik, kryesuar nga përfaqësuesi i Papës, gjatë të cilit të pranishmit do të ndjekin edhe fjalën e Benediktit XVI i cili, me mesazhin e tij të regjistruar, do t’u drejtojë të pjesëmarrësve jo vetëm përshëndetjen, por edhe reflektimin e tij, duke treguar etapën e re: vendin ku do të mbahet Kongresi i ardhshëm Eukaristik Ndërkombëtar, i 51-ti, pas katër vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.