2012-06-11 17:51:59

Papa në Engjëllin e Tënzot, shpirtërisht pranë bashkësive të dëmtuara nga tërmeti: edhe Jezusi është ndërmjet rrënojave të Emilies.


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në sa Kisha kremtonte solemnitetin e Korpit të Krishtit, Benedikti XVI kujtoi bashkësitë e Emilia Romanjës, të dëmtuara rëndë nga tërmeti, që vijon, e të detyruara ta kremtojnë Meshën nën qiell të hapur, sepse kishat e tyre janë kthyer në gërmadha. Më pas, duke u ndaluar tek dhurata e jashtëzakonshme e Eukaristisë, i nxiti përsëri besimtarët ta rizbulojnë vlerën e adhurimit eukaristik. I ftoi edhe të dhurojnë gjak, për të ndihmuar, me këtë gjest të madh solidariteti, një mori të sëmurësh, që kanë aq shumë nevojë.

Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se festa e ‘Corpus Domini’ është akt i madh i nderimit publik të Eukaristisë, Sakrament në të cilin Zoti është gjithnjë i pranishëm, edhe përtej kohës së kremtimit. Në kisha, vërejti Benedikti XVI, vendi më i shenjtë është pikërisht ai, ku ruhet Eukaristia. Prej këndej, Papa u drejtoi fjalën të dëmtuarve nga tërmeti:
“Nuk mundem, me këtë rast, të mos mendoj, me emocion të thellë, për kishat e shumta, që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i kohëve të fundit në Emilia Romanja, e sidomos, për faktin se edhe Korpi eukaristik i Krishtit, në tabernakull, mbeti, në disa raste, nën rrënoja. Lutem me gjithë zemër për bashkësitë që, me meshtarët, duhet të mblidhen për Meshën shenjte nën qiell të hapur, ose në çadra të mëdha; i falënderoj për dëshminë e tyre e për gjithçka po bëjnë në ndihmë të mbarë popullsisë”.
Është një situatë, vijoi Papa, që vë edhe më shumë në dukje rëndësinë e bashkimit, në emër të Zotit e, sidomos, forcën që buron nga Buka e shuguruar. Nga kjo Bukë, që e ndajmë së bashku, lind e përtërihet aftësia për t’i ndarë bashkë edhe jetën e pasuritë, për të mbartur peshën e njëri-tjetrit, për ta strehuar e për ta mikpritur tjetrin. Më pas Papa ritheksoi rëndësinë e procesioneve me të Shenjtnueshmin Sakrament dhe i ftoi besimtarët ta praktikojnë kultin e Eukaristisë, e jo vetëm gjatë Meshës:
Lutja e adhurimit mund të bëhet vetëm, duke medituar para tabernakullit, ose me bashkësinë, e shoqëruar edhe me psalme e këngë, por gjithnjë duke vënë në plan të parë heshtjen, për ta ndjerë në shpirt Zotin e gjallë, të pranishëm në Sakrament”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti përzemërsisht shtegtarët polakë, duke u kujtuar se sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, ishte dje në Poloni, për të kremtuar 25-vjetorin e shtegtimit apostolik të Gjon Palit II në atdhe e edhe për të përuruar një qendër studimesh, pagëzuar me emrin e të Lumit Vojtila. Fryt i këtij shtegtimi, shtoi Benedikti XVI, është pikërisht “Festa e Eukaristisë”, që u kremtua në Lodz.
Papa kujtoi, më pas, se më 14 qershor do të kremtohet ‘Dita botërore e dhuruesit të gjakut’:
U shpreh vlerësimin tim më të lartë atyre, që e prakitikojnë këtë formë solidariteti, të domosdoshme për shpëtimin e shumë jetëve”.
Së fundi, gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, Benedikti XVI kujtoi shtegtarët e dioqezit friulian të Konkordia-Pordenones, me rastin e paraqitjes së Letërkëmbimit të kardinalit Celso Costantini dhe përshëndeti Shoqatën e motoçiklistëve të Forcave të Policisë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me qindra motoçikletat e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.