2012-06-11 08:58:14

Në mesazhin për Kampionatin Evropian të Futbollit, Papa fton të kapërcehet individualizmi dhe egoizmi


Në Varshavë të Polonisë, filloi të premten, Kampionati Evropian e Futbollit, një nga ngjarjet më të mëdha sportive, që ndiqet nga mijëra vetë. Shqiptarët, kudo që ndodhen, janë ulur para ekraneve të televizorëve për të parë skuadrën e zemrës. Edhe Papa Benedikti XVI nuk mbeti indiferent para kësaj gare, e cila kur zhvillohet pastër e ndershmërisht, sjell vlera të vërteta për shoqërinë. Ati i Shenjtë u drejtoi të gjithë pjesëmarrësve një mesazh, që u bë i njohur të enjten, ku thekson se sporti ndihmon në kapërcimin e individualizmit e të egoizmit.
Papa shpreh mirënjohjen për takimet katekistike, liturgjike e për lutjet, që do të organizohen, sidomos në Poloni, pa harruar se kësaj radhe, kampionati do të zhvillohet edhe në Ukrainë. Duke përmendur dashurinë e të Lumit Gjon Pali II për sportin në përgjithësi, Benedikti XVI shkruan: “Sporti i skuadrës, siç është futbolli, është shkollë e rëndësishme për të edukuar ndjenjën e respektit për tjetrin, edhe për kundërshtarin sportiv, për të edukuar shpirtin e sakrificës për të mirën e grupit, vlerësimin e dhantive të çdo elementi që formon skuadrën; me një fjalë, kapërcehet llogjika e individualizmit dhe e egoizmit, që shpesh karakterizon marrëdhëniet njerëzore, për t’i lënë vend llogjikës së vëllazërimit e të dashurisë, e vetmja, që mund të promovojë vërtet të mirën e përbashkët, në të gjitha nivelet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.