Nigeri: Boko Haram sulmon 2 kisha. Kryeipeshkvi i Zhos: “të arrestohen autorët”.
Sulm i ri kundër të krishterëve të Nigerisë. Dy kisha u rrënuan nga tërbimi vrasës
i fanatikëve islamikë të Boko Haram, që e pranuan autorësinë e atentateve në veri
të vendit. 4, të vdekurit e dhjetra, të plagosurit. Italia pohon se do të impenjohet
fuqimisht në selitë ndërkombëtare, për të mbrojtur lirinë e fesë dhe për të përballuar
sfidën e terrorizmit. Ndërkaq Nigeria vijon të zhytet në tmerrin e sulmeve kundër
të krishterëve. Një autobombë në qytetin e Xhos-it, Shteti i Plato dhe një grup i
armatosur në Biu, të Bornos, sulmuan dy kisha përplot me besimtarë, që merrnin pjesë
në kremtimin e Meshës të së dielës. Terroristët u larguan, duke lënë pas 4 të vdekur
e 40 të plagosur, në gjendje shumë të rëndë. Përsëri masakër, përsëri gjak, përsëri
krim, me autorë, fanatikët e Boko Haram, që e pranuan autorësinë e këtij tmerri të
ri, i cili u shtohet sa e sa të tjerëve, kryer në një vend të shenjtë, në emër të
Zotit. 18 muaj atentate kamikaze, sulme të armatosura, Kisha në flakë, e mbi të gjitha,
300 të vdekur edhe pas ndeshjeve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Nga të katër
anët flitet për manipulim politik të Boko Haram, bëhen thirrje për qetësi. E ndërkaq
grupi fondamentalist e kupton këtë si mundësi për të vrarë qetësisht në Veri të vendit
e për t’i forcuar më tej pozitat e veta, pavarësisht nga rrethimet, për të cilat flasin
autoritetet nigeriane. Në këtë kuadër, bashkësia ndërkombëtare shpreh shqetësimin
e vet të thellë e nga italianët vjen premtimi se do të impenjohen plotësisht, në selitë
botërore, posaçërisht në Evropë, për të mbrojtur lirinë e fesë e për të përballuar
sfidën e terrorizmit. Duhet bërë më shumë, për t’i kapur autorët e këtyre krimeve
të shëmtuara, bën thirrje, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkvi i Xhos, njëri
nga dy qytetet nigeriane, mbytur në gjak nga dhuna e Boko Haram.Ta dëgjojmë
imzotin Ignatius Kaigama:
Përgjigje: - Shqetësimi është
ende i madh, nga që kur mendohet se situata u qetësua, ndodh diçka edhe më e tmerrshme.
Autoritetet civile pohojnë se problemet do të zgjidhen së shpejti, në sa shpejt e
shpejt vijojnë vetëm të përsëriten.
Pyetje: - Ç’mesazh
dëshironi t’i përcillni bashkësisë suaj në këtë rrethanë?
Përgjigje:
- Javën e kaluar organizuam një lutje kombëtare për të gjithë katolikët
e Nigerisë. Ne mendojmë se gjëja më e fortë tani, është lutja. Kemi agjenci të sigurimit,
por, sipas meje, bëjnë pak e aspak. Agjencitë e sigurimit duhet të zbulojnë kush janë
këta njerëz, nga vijnë, ku i gjejnë paratë, makinat e bombat, që përdorin. Po deri
më sot nuk shihet asnjë progres....
Pyetje: - A ka rrezik që besimtarët
të kenë frikë për të ardhur në Kishë?
Përgjigje: - Është
normale që njerëzit të kenë frikë, me që armiqësia kundër Kishës vijon. E kjo, sepse
Kisha shikohet si simbol i kulturës perëndimore. E, Boko Haram lufton
për ta zhdukur kulturën dhe edukimin perëndimor. Sipas fanatikëve, vlerat perëndimore
nuk mund t’i ndihmojnë myslimanët të jetojnë si myslimanë të mirë.