2012-06-11 17:52:55

Indi; në Mumbai adhurimi eukaristik për Korpin e Krishtit iu besua Motrave të të Nënë Terezës.


Edhe Kisha katolike e Indisë e kremtoi dje, e dielë, 10 qershor, Korpin e Krishtit. Për këtë solemnitet, kryedioqezi i Mumbait vendosi t’ia besojë adhurimin eukaristik motrave të Nënë Terezës, që drejtojnë Asha Dan (Dhuratë e shpresës), strehë për njerëz me kufizime mendore, të varfër e të sëmurë.
Rregulltaret, shpjegon për agjencinë AziaNjuz, atë Antoni Karangat, drejtor i së përjavshmes dioqezane “The Examiner”(Thi ig’zæmine) e shikojnë lutjen si burim force. Pa të, motrat e Nënë Terezës do ta kishin tepër vështirë ta kryenin misionin e tyre të përditshëm, ndërmjet njerëzve, që shoqëria i flak pa pikën e kujdesit në rrugë të madhe. Zgjedhja e motrave të bamirësisë për organizimin e çastit të adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament, ishte përgjigje, që i jepej prirjes së sotme për të vënë theksin vetëm mbi përmasën shoqërore të Eukaristisë.
Kryedioqezi i Mumbait nënvizoi, kështu, praktikisht, fjalët e Benediktit XVI, shqiptuar të enjten e kaluar, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran: “Është gabim t’i kundërvësh kremtimin e adhurimin, sepse janë dy aspekte kryesore të Misterit Eukaristik, me lidhje të ngushtë ndërmjet tyre”.
“Asha Dan” ndodhet në Bicila, në rrethinat e Mumbait. Drejtohet nga 12 motra të Nënë Terezës. Streha ka kapanone të mëdha, ku jetojnë më se 400 vetë, duke përfshirë edhe fëmijë të moshës 2 deri në 8 vjeç, të gjithë të sëmurë, me kufizime të rënda fizike e mendore.
Fëmijëve u shtohen gratë e sëmura nga Sida, që i sjell këtu çdo ditë policia, së bashku me fëmijët e tyre, për t’i hequr, kështu, nga rrugët e qytetit, ku janë të rrezikuara, e njëkohësisht, tejet të rrezikshme për popullsinë. Por jo për motrat e Nënë Terezës. Motra Gjoial, një nga misionaret e strehës, shpjegon për agjencinë AziaNjuz: “I ushqejmë, i lajmë, u ndërrojmë çarçafët e veshjet, u japim ilaçet: për ne janë vetë Krishti! Prej këndej, u shërbejmë me të njëjtin respekt trupave të tyre, kthyer në gërmadhë nga jeta, si të kishim në duar vetë Korpin e Krishtit! Vdesin të gjithë në duart tona, por kur arrin çasti i mbramë, vënë buzën në gaz, nga që e dinë se Zoti i do, i pret”.
“Krishti, nënvizon motra Magdelita, eprore e “Asha Dan”, vdiq për të varfërit, për të shtypurit, për të padashurit, për nevojtarët. Në emër të tij, u shërbejmë me gjithë zemër. Nuk është punë e lehtë. Do forcë. Përkushtim. Po ne forcën e përkushtimin i gjejmë gjithnjë në lutjen e përditshme e në fytyrat e tyre. Në ta, shikojmë vetë Krishtin. E përmes shërbimit tonë, u krijojmë mundësinë të bëhen dëshmitarë të dashurisë së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.