2012-06-11 14:49:51

Benedikti XVI për Akademinë kishtare: besnikëria ndaj Papës nuk është e verbër, por e ndriçuar nga besimi në Zotin


“Besnikëria ndaj Zotit është çelësi dhe burimi i besnikërisë sonë”: ky është thelbi i fjalimit të sotëm të Papës para anëtarëve të Akademisë Papnore Kishtare, e cila formon ata, që punojnë në nunciaturat e gjithë botës. Benedikti XVI foli qartë për vlerën e besnikërisë ndaj Kishës dhe ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit, në veçanti nga ana e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Kurien Romake e në përfaqësitë papnore jashtë Vatikanit, në një kohë kur mediat botojnë dokumentet e rezervuara, dalë nga pallatet apostolike. Nuk është besnikëri e verbër, nënvizoi, por e ndriçuar nga feja në Krishtin, sepse t’i qëndrosh besnik Papës do të thotë t’i qëndrosh besnik Zotit:.................RealAudioMP3
“Të dashur miq, në masën me të cilën do të jeni besnikë, do të konsideroheni edhe të denjë për besim. E dimë se besnikëria e përjetuar në Kishë e në Selinë e Shenjtë nuk është “e verbër”, sepse ndriçohet nga feja në Atë, që pati thënë: ‘Ti je Pjetër(shkëmb) e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time’”.
Nga Papa, inkurajimi për ta jetuar lidhjen me Mëkëmbësin e Krishtit si pjesë e përshpirtërisë personale. Kjo kërkesë ka të bëjë me çdo katolik e jo vetëm me meshtarët. Megjithatë, për ata që punojnë në Selinë e Shenjtë, merr tipare të veçanta:
“Është përgjegjësi e rëndë, por edhe dhuratë e veçantë, e cila, me kalimin e kohës, krijon një lidhje dashurie me Papën, një mirëbesim intim, një ‘idem sentire’ të natyrshme, e cila shprehet më së miri nga fjala ‘besnikëri’”.
Papa nuk mungoi të theksonte se besnikëria nuk është vetëm virtyt, por “para së gjithash veti hyjnore”. Për njeriun, ajo është thellësisht e lidhur me dhuratën e mbinatyrshme të fesë, prandaj karakterizon sjelljet e atyre, që e kanë bazuar jetën në Zotin:
“Vërtet, në fe gjejmë garancinë e vetme të qëndrueshmërisë sonë (shih Is 7,9b), e vetëm duke u nisur prej saj, mund të jemi edhe ne besnikë nga ana jonë: para së gjithash, besnikë ndaj Zotit, pastaj ndaj familjes së tij, Kishës, që është nënë e mësuese e, përmes saj, ndaj thirrjes personale, ndaj çastit historik ku na ka vendosur Zoti”.
Për ata që shërbejnë në nunciaturat apostolike - ambasadat e Vatikanit kudo në botë - Papa nënvizoi domosdoshmërinë e lidhjeve të miqësisë me Kishat e me bashkësitë e vendeve përkatëse. Në këtë rast, besnikëria konkretizohet në përkushtimin e përditshëm në punë, në pjesëmarrjen në çastet e gëzueshme e të trishtueshme e, madje edhe dramatike, të këtyre bashkësive, duke mësuar kulturën, traditat e tyre kishtare, për të vlerësuar veprat e Hirit Hyjnor në çdo popull:
“Në këtë mënyrë, do t’u jepni guxim e do t’i nxisni edhe Kishat e veçanta të zhvillohen, duke i qëndruar besnike Papës së Romës, si edhe duke gjetur në parimin e bashkimit me Kishën universale, orientimin e sigurtë për shtegtimin e tyre në histori”.
Njëkohësisht, shtoi Benedikti XVI, do ta ndihmoni Pasardhësin e Shën Pjetrit t’i qëndrojë besnik misionit të marrë nga Krishti, duke i lejuar ta njohë më nga afër grigjën, që i është besuar, për t’i çuar më lehtë fjalën, afërsinë e dashurinë e tij. Në fund, Papa falenderoi bashkëpunëtorët e tij në Kurien Romake e në Përfaqësitë Papnore si edhe “vëllezërit e motrat e gjithë botës”, që luten vazhdimisht për të.







All the contents on this site are copyrighted ©.