2012-06-11 17:52:12

Atë Lombardi: lidhur me rastin e dokumenteve të marra, për të pandehurin, Paolo Gabriele sigurohen garanci të plota.


Takimi i ri i atë Federiko Lombardit me gazetarët, u hap sot me një mendim kushtuar dhunës, që vijojnë të pësojnë të krishterët në Nigeri. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit shprehu dhimbjen dhe tmerrin për sulmet e reja mbi Kishat nga ana e anëtarve të grupit fondamentalist islamik Boko Haram. Uroi, më pas, që autoritetet nigeriane të gjejnë rrugëzgjidhje për këtë situatë, që po e trondit rëndë e vazhdimisht popullsinë vendase.
Atë Lombardi preku edhe tema të tjera gjatë konferencës së shtypit. Ndërmjet tyre, çështja e dokumenteve të vjedhura në Vatikan.
Avokatët mbrojtës të Paolo Gabriele-s, ish-ndihmësit të dhomës së Papës, i cili mbetet i pandehuri i vetëm, lidhur me dokumentet e marra në Vatikan, i paraqitën kërkesën për lirimin me kusht, gjykatësit, që ka të drejtë të përgjigjet më vonë. Tani për tani, i pandehuri vijon të mbetet në gjendje arresti. U përgënjeshtruan edhe një herë nga atë Lombardi lajmet e dukura në shtyp, që flasin për ngatërrimin e personave të tjerë, kishtarë e laikë, në këtë ngjarje. Gjithçka, pohoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, po zhvillohet, duke siguruar garancinë e plotë për Paolo Gabriele-n, ashtu edhe për afatet, që kanë të bëjë me çështjen.
Lidhur me vlerësimin e Vatikanit nga ana e Moneyval, grupi i specialistëve ligjorë e financiarë të Këshillit të Evropës, që merren me analizën e sistemeve kundër riciklimit në vendet anëtare, atë Lombardi theksoi se është pozitive të ndërmerret një kontroll për vlerësimin e sistemeve të Vatikanit, siç dëshiron edhe Papa, nga ana e njerëzve me specializim të lartë.
Është një ballafaqim i qetë, nënvizoi atë Lombardi, ndërmjet institucioneve të Kishës, që kanë specifikën e tyre dhe botës shekullare, që synon të mbrojë pasurinë e përbashkët dhe ligjshmërinë ndërkombëtare, përmes luftës kundër terrorizmit e kriminalitetit të organizuar. Së fundi, lidhur me hetimin e Qytetit të Vatikanit nga ana e autoriteteve gjyqësore të Trapanit, në Itali, atë Lombardi ripohoi atë, që ka thënë në një notë, përmes së cilës shpjegon ç’ka thënë Prokuroria e qytetit sicilian. Nuk bëhet fjalë për lidhje me mafien e as për riciklim parash, por vetëm për ngjarje, që kanë të bëjnë me defiçite në arkat dhe me dallavere të tjera në administratën e enteve kishtare në dioqezën e Trapanit.
Është një shembull, që tregon se Vatikani, në këtë rast, ashtu si edhe në të tjera, ka qenë gjithnjë i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë italiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.