2012-06-08 16:00:09

U hap në Irlandë Simpoziumi Teologjik në përgatitje të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar.


U hap dje, në Irlandë, Simpoziumi Teologjik Ndërkombëtar, në përgatitje të Kongresit të 50-të Eukaristik Ndërkombëtar, që do të mbahet në Dublin, më 10 deri më 17 qershor. Simpoziumi i kushtohet posaçërisht 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit. Në hapje, kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin, pohoi se Koncili II i Vatikanit ishte një ngjarje me rëndësi të dorës së parë për jetën e Kishës në shekullin XX, duke nënvizuar se mësimet e tij duhen thelluar, duhen zhvilluar e duhen përvetësuar plotësisht, për ta përtërirë më tej jetën e Kishës. Koncili ndikoi shumë edhe mbi jetën e Kishës në Irlandë që, ndonëse me kulturë tradicionaliste, i pranoi reformat me kënaqësi, madje me entuziazëm. Prej këndej, ndryshimet e risimet në këtë Kishë, janë edhe më të dukshme.Pastaj foli kardinali Mark Uilet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, (i dërguar) legat papnor për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, duke u përqendruar tek ekleziologjia e bashkimit, 50 vjet pas hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Kardinali kanadez shpjegoi se bashkimi e Kisha realizohen në Eukaristi, në familje, në meshtari, në ekumenizëm, në ungjillëzim. Koncili II i Vatikanit, theksoi prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, është si fryma e Rrëshajëve, që i ndriçon e u jep jetë të gjitha këtyre aspekteve. Kardinali Uilet uroi që Shpirti i Zotit t’i prijë përtëritjes së Kishës universale, ashtu si edhe Kishës irlandeze. Pak para fjalimit të tij, kardinali i Hondurasit, Oscar Rodrigo Maradiaga, kryeipeshkëv i Tegusigalpës e kryetar i Caritas Internationalis, duke folur me gazetarët, e shpjegoi me këtë ekuacion temën e Simpoziumit Ndërkombëtar Teologjik dhe të vetë Kongresit Eukaristik: “Eukarisia e misioni janë dy elementet kryesore të takimeve tona. “Bëjeni këtë në kujtimin tim”, apo themelimi i Eukaristisë, plus “Shkoni e kumtoni lajmin e mirë”, apo misioni, që çdo njeri duhet ta kryejë gjatë shtegtimit të tij tokësor, janë dy shtyllat, mbi të cilat bazohet jeta e të krishterit të djeshëm, të sotëm e të nesërm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.