Pas dështimit të tre raundeve të para, nesër, raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit
të Shqipërisë
Java që sapo kaloi e la Shqipërinë jo vetëm pa president të ri, por edhe pa kandidat.
Mazhoranca dhe opozita nuk u morën vesh për një emër të përbashkët e raundi i tretë
i votimeve në Kuvend, përfundoi njëlloj si dy të parët, brenda dy minutave, thjesht
me konstatimin se mungon një kandidat konsensual. Votimi i ardhshëm do të bëhet të
hënën në orën 10.00, por kësaj radhe mjafton shumica e thjeshtë e deputetëve për të
miratuar një president të mundshëm. Para këtij votimi, që i jep një vendi kreun e
shtetit, atë që duhet të përfaqësojë shpirtin kombëtar të një populli, po kujtojmë
ç’thotë Doktrina Shoqërore e Kishës Katolike për demokracinë, vlerat dhe përgjegjësitë
politike. Parimi i dashurisë ndriçon udhën e të krishterëve edhe për të kuptuar
se ç’do të thotë “bashkëjetesë politike”. Kisha e vlerëson sistemin e demokracisë,
pasi kur funksionon si duhet, ai siguron pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimet politike
dhe garanton mundësinë si për të zgjedhur e për t’i kontrolluar qeveritarët e momentit,
ashtu edhe për t’i zëvendësuar paqësisht, kur është e nevojshme (Centesimus annus
46). Gjithsesi, demokracia rrezikohet vazhdimisht nga ai, që Kisha e quan “relativizëm
etik”, sipas të cilit nuk ekziston asnjë kriter objektiv dhe universal për të përcaktuar
bazën dhe hierarkinë e vlerave. Por, ata që kanë përgjegjësi politike nuk duhet të
harrojnë e as ta nënvleftësojnë përmasën morale dhe etike të veprimtarisë së tyre,
duke jetuar me popullin që përfaqësojnë e duke gjetur zgjidhje për problemet shoqërore.
Prandaj, autoritet me përgjegjësi do të thotë autoritet me virtyte, që favorizojnë
ushtrimin e pushtetit me frymën e shërbimit për të mirën e përbashkët. Partitë politike
në garë për të caktuar emrin e atij, që do të jetë Presidenti i ardhshëm i Republikës
së Shqipërisë, e kanë për detyrë e jo për qejf të interpretojnë aspiratat e shoqërisë,
duke u dhënë mundësi qytetarëve të shohin vetveten në vendimet e politikanëve, të
cilëve u kanë dhënë votën.