2012-06-08 18:18:17

Forum katoliko-ortodoks: “Feja e përbashkët mund t’i përgjigjet krizës”.


Përfundoi në Lisbonë, Forumi evropian katoliko-ortodoks, me temë: “Kriza ekonomike dhe varfëria: sfidat për Evropën e sotme”. Rreth kësaj teme diskutuan tri ditë me radhë përfaqësuesit e Konferencave ipeshkvnore evropiane dhe ato të patriarkanave të Kishave ortodokse në Evropë.
Kardinali Peter Erdë, kryetar i Këshillit të Konferencave episkopale evropiane, që kryesoi sesionet e punimeve, në një intervistë, dhënë agjencisë Sir, pohon se gjatë takimit u kërkua përgjigje për problemet më të vështira aktuale, në dritën e fesë së përbashkët, nga që tashmë është bërë e qartë për të gjithë se në temën e krizës ekonomike e të varfërisë, feja katolike e ajo ortodokse kanë të njëjtën bazë, për t’i përballuar vështirësitë e krijuara. Duhet forcuar familja, vijoi të komentonte, duke e parë qelizën themelore të shoqërisë si vatër, ku njeriu mëson përgjegjësinë ndaj jetës, respektin për tjetrin, dashurinë për të afërmin. Duhet rivlerësuar puna e njeriut, parë si vlerë e si burim i mirëqenies e duhet thelluar edhe përgjegjësia e liderëve katolikë e ortodoksë ndaj bashkësive të tyre- tha në përfundim kardinali ErdëPër përgjegjësi foli edhe Genadios i Sasimës, metropolit i Patrikut të Kostandinopojës, për të cilin, Kisha e ndan me popullin e vet këtë vuajtje, duke përdorur të gjitha mjetet materiale, që ka në dispozicion, për t’iu përgjigjur britmës së të varfërve, që kërkojnë ndihmë, pa harruar se kriza i shton çdo ditë radhët e tyre me të varfër të rinj. Po Kisha ka edhe mjetet e veta, që e lehtësojnë vërtet shpirtin e njeriut të dëshpëruar – nënvizoi metropoliti Genadios - ka fenë, shpresën, rikthimin në rrënjët e jetës shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.