2012-06-08 15:59:35

Feja e muzika: takim me kardinalin Ravazi e Mjeshtrin e muzikës, Muti


Të kuptosh ku takohen feja me muzikën, përmes gjuhës universale, që shkon përtej zhurmës së botës. Ky, qëllimi i takimit “Në dialog: feja e muzika”, që u mbajt të martën e kaluar në Romë, në bazilikën e Shën Marisë në Araçeli. Protagonist i mbrëmjes, organizuar nga zyra e Vikariatit të Romës për Komunikimet Shoqërore, kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën dhe Mjeshtri i muzikës, Rikardo Muti.

“Muzika nuk krijohet për t’u kuptuar, por për t’u ndjerë, për ta rrëmbyer dëgjuesin”, shpjegoi Mjeshtri Rikardo Muti, në takimin “Në dialog: feja e muzika”; është dritë e fshehur në gjirin e natës, që të mbart me flatrat e veta kah Pambarimi. E dëshmojnë këtë shumë opera lirike të cilat, pavarësisht nga tragjiciteti i tyre, shikojnë lart, drejt qiellit”.
E pikërisht mbi muzkën e fenë flet edhe kardinali Xhanfranko Ravazi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Lidhja ndërmjet fesë e muzikës, mund të themi se është si lidhja ndërmjet dy motrave, sepse të dyja nuk përfaqësojnë vetëm tingullin, vetëm atë, që duket, që dëgjohet, por të ftojnë, përmes tingujve, të ngjitesh në lartësitë e papashme e të dëgjosh një mesazh, që ka një zë, një thellësi të mbinatyrshme. Për këtë arsye të dyja ecin krah për krah, duke u lartuar kah misteri, kah e Përtejmja, kah Tjetri.

Pyetje: - Ju mendoni, atëherë, se muzika mund të jetë mjet shumë i përshtatshëm për Ungjillëzimin?

Përgjigje: - Nga njëra anë muzika normalisht është gërshetuar për shekuj e shekuj me tekstet biblike, me tekstet, që lexohen e meditohen në Kishë. Mjafton të mendojmë për kryeveprat e panumërta fetare, që kompozoi njerëzimi në shekuj, edhe jashtë kufijve të krishterimit. Prej këndej mund të pohojmë me plot gojën se feja e muzika kanë ecur gjithnjë së bashku. Nga ana tjetër, duhet thënë edhe se përvoja muzikore, për vetë natyrën e saj, të rrëmben, të merr në krahë, për të të lartuar kah emocionet më të thella, më të fshehta, të dhuron flatra e të ngjit në maje të shkallës së mundësive njerëzore, domethënë të larton kah vetë Zoti. Prej këndej, është kumtim i Hyjit, i cili shpesh kumbon edhe në shpirtin e atyre, që nuk e kanë përmendur kurrë emrin e Zotit.

Mbrëmja mbylli një cikël, kushtuar muzikës e fesë, organizuar nga Vikariati i Romës, shpjegon Don Valter Insero, drejtor i Zyrës dioqezane për komunikimet shoqërore:

“Deshëm të mbyllim një përmbledhje, që solli mes nesh këtë mrekulli, traditën muzikore të famullive romake. Vumë sonte ballë për ballë dy referues të mëdhenj, që na folën për lidhjen e fesë e muzikën.
E bëmë këtë këtu, në zemër të Romës, pikërisht në një reflektim për thirrjen hyjnore, duke arritur natyrshëm në përfundimin se muzika e mbart njeriun përtej kufijve të vetvetes, duke e ndihmuar të shikojë kah Pafundësia”.







All the contents on this site are copyrighted ©.