Atë Federico Lombardi: Prania e Eukaristisë për të gjithë
Të enjten e kaluar, në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit, Papa Benedikti XVI,
i rrethuar nga mijëra besimtarë, që mbushën me ngjyra tremen e Bazilikës së Shën Gjonit
në Lateran dhe rrugën Merulana të Romës, kremtoi Meshën e Solemnitetit dhe kryesoi
procesionin deri në Bazilikën e Zojës së Madhe. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë vuri
në dukje dy aspekte: vlerën e kultit eukaristik dhe shenjtërinë e Eukaristisë. Këtij
argumenti ia kushton komentin e sotëm, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi: “Me
rastin e festës së Korpit e të Gjakut të Krishtit, Papa foli sërish për një temë karakteristike
të magjisterit të tij, për kultin eukaristik: plotësim i kremtimit të meshës me adhurimin
e të Shenjtnueshmit Sakrament. Theksi i tepruar, për të mos thënë përjashtues, mbi
kremtimin eukaristik në dëm të përmasës e të kohës, kushtuar adhurimit, bën të mos
kuptohet më e të mos ndjehet prania e gjallë e Zotit në Sakramentin eukaristik, edhe
jashtë meshës e ndoshta, të mos ndjehet edhe kuptimi shpirtëror e pasuria e vetë kremtimit
të meshës. Por, ndjesia e kësaj pranie në të vërtetën dhe realitetin e
vet, është themelore për jetën e krishterë. M’u kthyen spontanisht në mend, fjalët
e rëndësishme, që tha Papa, pak ditë më parë, gjatë mbrëmjes festive me familjet në
Milano, duke folur për personat, të cilët nuk mund të marrin kungimin, për shkak të
gjendjes së parregullt martesore. Tha: “Është shumë e rëndësishme të ndjejnë që Eukaristia
është e vërtetë, se mund të marrin pjesë në Të, vetëm nëse realisht hyjnë në bashkim
me Korpin e Krishtit. Edhe pa e marrë “fizikisht” sakramentin, mund të jemi shpirtërisht
të bashkuar me Krishtin në Korpin e Tij”. Vërtet, sepse Korpi i Tij nuk është vetëm
Hostja Shenjte, por edhe bashkësia e Kishës… T’i ftosh njerëzit në kungimin “shpirtëror”,
kur nuk është i mundur ai “fizik”, trupor, nuk do të thotë t’u japësh ngushëllim të
rremë, por t’u zgjerosh e t’u thellosh përmasat e jetës në fe e në bashkësinë fetare.
Vetëm kështu, edhe fjala tjetër e Papës në Milano – në shikim të parë, pak si e mistershme
– mund të gjejë kuptimin e vet: vuajtja e atyre, të cilët nuk mund të marrin kungimin
sakramentor, nëse pranohet si çmim për dëshminë e përbashkët, që duhet të japin besimtarët
për vlerën e qëndrueshmërisë së dashurisë martesore sakramentore, “është dhuratë për
Kishën”. Po, sepse këta njerëz nuk janë “jashtë” bashkësisë, por “plotësisht brenda”
saj, në zemrën e saj, ndoshta, me më shumë dëshirë, shtuar nga përvoja e privimit”.