2012-06-07 19:03:49

Papa në “Corpus Domini”: kulti e traditat e fesë të rëndësishme e të domosdoshme si kremtimi i Eukaristisë


E dëgjuan dje Papën, besimtarët që sot mbushën plot rrugët e Romës për procesionin e festës së “Korpit e të Gjakut të Krishtit”, kur, gjatë audiencës së përgjithshme, i ftoi të bashkohen me të për të shprehur fenë e thellë ndaj Eukaristisë, “thesari më i çmuar i Kishës dhe i njerëzimit”.
Sot në orën 19.00, Benedikti XVI kremtoi meshën në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran e pastaj, udhëhoqi procesionin e besimtarëve të shumtë në rrugën Merualana, deri në Bazilikën e Zojës së Madhe. Të pranishëm edhe vëllazëritë e shoqatat e ndryshme kishtare, që me veshjet e tyre tradicionale i dhanë ngjyrime të bukura festive procesionit.
Në homelinë e Meshës, Ati i Shenjtë u ndal në kultin e Eukaristisë dhe në shenjtërinë e saj. Kritikoi disa interpretime pas Koncilit II të Vatikanit, që nuk i japin rëndësinë e duhur adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament, duke vlerësuar më shumë kremtimin e Eukaristisë. Pa e mohuar vlerën e meshës, gjatë së cilës, populli mblidhet rreth Fjalës së Zotit dhe Bukës së jetës, Papa theksoi se nuk duhet flijuar një aspekt për tjetrin:
“Në këtë rast, theksi mbi kremtimin e Eukaristisë e ka penalizuar adhurimin e saj, si akt feje e lutjeje drejtuar Zotit tonë Jezu Krishtit, i pranishëm me të vërtetë në Sakramentin e elterit… Duke i përqendruar marrëdhëniet me Jezusin Eukaristi vetëm në çastin e Meshës Shenjte, rrezikojmë ta zbrazim pjesën tjetër të kohës dhe të hapësirës nga prania e Tij. Kështu, ndjehet më pak prania e vazhdueshme e Jezusit në mesin tonë e me ne, prani konkrete, e afërt, brenda shtëpive, si “Zemra që rreh” për qytetin, vendin, territorin ”.
Adhurimi i Eukaristisë dhe kremtimi i saj nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, sqaroi Papa teolog. Përkundrazi, kulti i të Shnjtnueshmit Sakrament përbën ambientin shpirtëror, në të cilin kremtohet më mirë Eukaristia. Njeriu, që qëndron me fe, në adhurim, para Hostes Shenjte, merr pjesë më pas me shpirt më të dlirë në meshë, duke i dhënë asaj vlerën e vërtetë. Edhe pas meshës, Krishti mbetet në zemrën e tij e njeriu e ndjen se Ai e shoqëron në rrugët e jetës, duke i paraqitur vazhdimisht para Atit Qiellor, travajet e njeriut.
Papa përmendi përvojën e adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament në Ditët Botërore të Rinisë, por edhe në Bazilikën e Shën Pjetrit. E shpjegoi domethënien e mbledhjes së besimtarëve para Hostes Shenjte, që i parapriu procesionit të sotëm:
“Qëndrimi i të gjithëve, në heshtje e gjatë, para Zotit të pranishëm në Sakrament, është një nga përvojat më të vërteta të mënyrës sonë për të qenë Kishë. Kjo shoqërohet e plotësohet me kremtimin e Eukaristisë, duke dëgjuar Fjalën e Hyjit, duke kënduar, duke u afruar së bashku në tryezën e Bukës së jetës. Kungimi e kundrimi nuk mund të ndahen, shkojnë bashkë”.
Për të komunikuar vërtet me një person, duhet ta njohim, t’i qëndrojmë pranë, ta dëgjojmë e ta shohim, përndryshe takimi nuk është i thellë, por i sipërfaqshëm. Kështu ndodh edhe me Eukaristinë, nënvizoi Benedikti XVI, i cili u ndal edhe në shenjtërinë e këtij Sakramenti. Edhe për këtë, Papa kritikoi mënyrën si interpretohet nganjëherë mesazhi i Shkrimit Shenjt:
“Është e vërtetë, e mbetet gjithnjë i vlefshëm, fakti që qendra e kultit nuk janë më ritet e flijimet si në lashtësi, por vetë Krishti, në personin e Tij, në jetën e Tij, në misterin e Tij të Pashkëve. E, megjithatë, nga kjo risi themelore (e krishterimit) nuk duhet të arrijmë në përfundimin se përmasa e shenjtë nuk ekziston më, por të kuptojmë se ajo është plotësuar në Jezu Krishtin, Dashuri hyjnore e mishëruar”.
Duke shfletuar pikërisht Shkrimin Shenjt, Benedikti XVI vuri në dukje se edhe Jezu Krishti nuk u tha hebrenjve se të gjitha ritet e traditat, që kishin deri në atë kohë, nuk vlenin asgjë, përkundrazi, i ngriti ato në shkallën më të lartë, i plotësoi duke përuruar një kult të ri, i cili, vërtet është plotësisht shpirtëror, por derisa të jemi akoma në rrugën e historisë, do të përdorë gjithnjë shenja e rite, për të cilat nuk do të kemi më nevojë vetëm në fundin e kohrave, në Jeruzalemin Qiellor:
“Në kulmin e këtij misioni, në Drakën e Mbrame, Jezusi themeloi Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, Kujtimin e Flijimit të Pashkëve. Me të, Ai e vuri veten në vend të flijimeve të lashta, por e bëri brenda një riti, të cilin u dha urdhër Apostujve ta vazhdojnë, si shenja më e lartë e Përmasës së vërtetë Fetare të jetës”.
Riti, traditat e fesë kanë funksion edukativ, nënvizoi Ati i Shenjtë. Mosrespektimi i tyre e varfëron kulturën, sidomos ndikon negativisht në formimin e brezave të rinj. Nëse, në emrin e një feje, që nuk duhet bazuar në ritet, do të hiqej për shembull, procesioni i sotëm i “Corpus Domini”, profili shpirtëror i Romës do të dobësohej. Por, theksoi Papa, para se të nisej edhe ai vetë për në procesion:
“Nuk mjafton respektimi i ritit, por kërkohet edhe pastrimi i zemrës e përkushtimi i jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.