2012-06-07 11:10:59

Papa: në Eukaristi, eshte rruga për përtëritjen e botës.


Eukaristia e bën njeriun një gjë e vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës, kremtuar për Solemnitetin e Corpus Domini, të cilën e kryesoi mbrëmë, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Pas kremtimit, i priu procesionit eukaristik deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Në përfundim, kur mbi Qytetin e Amshuar binte nata blu e ditës së dytë më të gjatë të vitit, u dha të gjithëve Bekimin Eukaristik.
“Në Eukaristi ndodh shndërrimi i dhuratave të kësaj toke – bukës e verës – që e shndërrojnë, pastaj edhe jetën tonë, për të përuruar shndërrimin e botës”. Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Papa i ftoi të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo e Kalvarit – shpjegoi Benedikti XVI në homeli – që Zoti e përshpejton dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer e vera e hedhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udha për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit:
“Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Zotin e, duke bërë kështu, me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste”.
Për dashuri – vërejti Benedikti XVI – Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë, e shndërroi kryqin në akt dhurimi:
“E ky është shndërrimi, për të cilin ka nevojë bota, sepse ia shëlbon shpirtin, i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit. Por këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë, në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë”.
Prandaj Zoti i dorëzon botës dhuratën e Eukaristisë, për t’i krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit nga mëkati e për t’i dhënë dhuratën e shëlbimit. Krishtërimi nuk njeh udhë të shkurtëra – theksoi Papa – gjithçka kalon përmes logjikës së përvuajtur e durimtare të kokrrës së grurit, që copëtohet, për të dhënë jetë; logjikës së fesë, që luan nga vendi malet me forcën e Zemrës së butë e të përvujtë të Zotit:
“Prandaj Zoti dëshiron të vijojë ta përtërijë njerëzimin, historinë e kozmosin, përmes këtij zinxhiri shndërrimesh, Sakramenti i të cilave është Eukaristia. Me anën e bukës e të verës së shuguruar, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Krishti na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu mbillen e piqen, në brazdat e historisë, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë, sipas planit të Zotit”.
Për ta bërë më të kuptueshme dinamikën e bashkimit eukaristik, Papa citoi një fragment nga vepra e Shën Agostinit: “Shën Agostini na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështuqë bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të”.
Kur marrim Kungimin – vijoi Ati i Shenjtë Ratcinger - Krishti na shndrron në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të:
“Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte, e pranon në vllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore.
Posaçërisht në kohën tonë, kur globalizimi na bën gjithnjë më të varur nga njëri-tjetri, Krishtërimi mund e duhet të veprojë në mënyrë që ky bashkim të mos ndërtohet pa Zotin, domethënë, pa Dashurinë e vërtetë”. Ungjilli – ripohoi Benedikti XVI – synon gjithnjë të krijojë unitetin e familjes njerëzore, duke u nisur nga ndjesia e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, sepse Sakramenti i Elterit, që e ndajmë së bashku, na mësoi e vijon të na mësojë, se dashuria është rruga e vërtetë e drejtësisë dhe e paqes.
RV 24/06/2011







All the contents on this site are copyrighted ©.