2012-06-07 16:55:09

Në mesazhin për Kampionatin Evropian të Futbollit, Papa fton të kapërcehet individualizmi dhe egoizmi


Sporti ndihmon në kapërcimin e individualizmit e të egoizmit: kështu shkruan Benedikti XVI në mesazhin për kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Polake, imzot Jozef Mikalik, me rastin e Kampionatit Evropian të Futbollit, që do të fillojë nesër në Poloni e në Ukrainë.
Kampionati, shkruan Papa, përfshin krejt shoqërinë e, edhe Kisha nuk mbetet indiferente, sidomos përsa u përket nevojave shpirtërore të pjesëmarrësve. Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen për takimet katekistike, liturgjike e për lutjet, që do të organizohen, sidomos në Poloni. Më pas, citon të Lumin Gjon Pali II, i cili pati vënë në dukje mundësitë e sportit për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, të ndjenjave të vëllazërimit, të ndershmërisë e të respektimit të trupit, virtyte të domosdoshme për një atlet.
“Sporti i skuadrës – vazhdon Benedikti XVI – siç është futbolli, është shkollë e rëndësishme për të edukuar ndjenjën e respektit për tjetrin, edhe për kundërshtarin sportiv, për të edukuar shpirtin e sakrificës për të mirën e grupit, vlerësimin e dhantive të çdo elementi që formon skuadrën; me një fjalë, kapërcehet llogjika e individualizmit dhe e egoizmit, që shpesh karakterizon marrëdhëniet njerëzore, për t’i lënë vend llogjikës së vëllazërimit e të dashurisë, e vetmja, që mund të promovojë vërtet të mirën e përbashkët, në të gjitha nivelet”.
Në fund, duke uruar që Kampionati Evropian i Futbollit të jetohet si shprehje e virtyteve më fisnike, me frymën e paqes e të gëzimit të sinqertë, Ati i Shenjtë ua beson Zotit të gjithë personat, që impenjohen në përgatitjen dhe në zhvillimin e tij. Për një koment mbi këtë mesazh, ia drejtuam mikrofonin presidentit të Qendrës Sportive Italiane, Massimo Achini:
Mendoj se mesazhi i Benediktit XVI është shumë i rëndësishëm për të gjithë botën e sportit, por edhe për të gjithë të rinjtë e për krejt njerëzimin. Sporti është një mjet i jashtëzakonshëm edukativ, vërtet në gjendje të përçojë në zemrat e të rinjve vlerat e jetës. Është arsye shprese në një kohë krize dhe emergjence edukative. Është edhe mjet i jashtëzakonshëm për të bashkuar popujt, për të zgjuar ndjenja vëllazërie, aty ku diplomacia dhe zyrtarët e shumtë të botës së sotme nuk arrijnë as të afrohen.
Kampionati zhvillohet në një çast krize ekonomike për Evropën. Cili është kontributi, që mund të japë?
Kontributi është, para së gjithash, në planin e vlerave. Pa dyshim ka edhe ndikim ekonomik, sepse duhet të kujtojmë se futbolli i sotëm është pjesë e rëndësishme e Prodhimit të Brendshëm të shumë vendeve, por uroj që ndikimi më i madh të jetë në vlerat. Këtij kampionati i jepet një rast i madh: të gjejë pak humanitet brenda biznesit të futbollit, që shpesh arrin në gabime të tepruara. Skuadrat kombëtare, që vizituan kampin e përqendrimit në Aushvic, besoj u kanë prekur zemrat të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.