Korpi e Gjaku i Krishtit mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndriçohet
nga feja
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndirçohet
nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton
Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni.
Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente. I Shenjtueshmi
Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte
të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezusi kremtoi
Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës
së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik. Pra, në Euakristinë Shenjte,
Jezusi vëretetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashterrshëm
e i domosdoshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën
e Mbrame me apsotujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë,
kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancat sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë
e të pijë nga ky kelk!”. Megjithëse Eukaristia është forcë e cila shkon përtej mireve
të Kishave tona, sepse në këtë sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, drejt botës,
udhëve të njerëzimit. Për këte Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë
e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne
bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të depërtohemi, të përshkohemi nga Ai që është
Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij,
që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për
t’u bashkuar përherë e më tepër me Të. Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme,
të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj
për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajten e bukës e të
vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria.
Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i paganueshëm
i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore,
kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën
e pavdekshme. “ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo
herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, dmth. përkujtimin e Besëlidhjes së
Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin,
për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Pra, në misterin e shenjtë të Korpit e
Gjakut të Jezu Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, të bashkimit dhe
të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë që është burim e kult i çdo shenjtërie, i çdo
fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin lavdinë e Tij të përjetshme.