2012-06-06 16:38:49

Dhjetra të vdekur në Siri. Atë Dall’Oglio: në lutje pranë bombave, paqja kërkon guxim


Tejet i lartë, tensioni në Siri. Vazhdojnë ndeshjet me armë, që sipas opozitorëve, kanë shkaktuar 57 viktima, vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Të shtëna edhe në kufi me Libanin, kundër personave, që u përpoqën të hynin në territorin sirian. Sonte, me iniciativë të Turqisë, janë mbledhur në Stamboll vendet kryesore të grupit “Miqtë e Sirisë”, ndër të cilët SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Ministri i jashtëm rus kërkon një takim ndërkombëtar në mbështetje të planit të paqes të të dërguarit të OKB-së, Kofi Annan. Ndërkaq, presidenti sirian Bashar al Assad ka ngarkuar ish-ministrin e bujqësisë të formojë një qeveri të re, mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të fundit, të cilat kundërshtohen nga opozita. Kishës Katolike në vend nuk i mbetet tjetër veçse lutja, siç thotë themeluesi i Manastirit të Deir Mar Musa, atë Paolo Dall’Oglio, i cili, sapo ka përfunduar një periudhë lutjesh për paqen, në një nga zonat më të turbullta të Sirisë:
Koha, që kalova në lutje, qe intensive dhe aventureske njëkohësisht, sepse vendi i lutjes është një nga më të rrezikshmit e Sirisë. Për dy ditë me radhë na bombarduan, duke shkaktuar 15 viktima. Isha i pranishëm në funeralin e viktimave të pafajshme: punëtorët, që ktheheshin në shtëpi nga puna, mbërritën kufoma. Jam marrë me kërkimin e njerëzve të rrëmbyer, prandaj i kam prekur me dorë ndërlikimet e çështjes siriane, që s’bën tjetër, veçse i rëndon edhe më plagët e këtij populli.
Siç e shohim ne situatën, nga jashtë vendit, duket se kemi të bëjmë me ndeshje ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Por punët nuk janë kaq të thjeshta, apo jo?
Pikë së pari, do të thosha se ajo, që quajmë qeveri, është një realitet shumë i ndërlikuar, e dallimi i asaj, që shërben si fasadë, nga e vërteta, është shumë i vështirë. Ndërkaq, ajo që quajmë opozitë ka njëmijë fytyra. Është një vend i ndërlikuar e me shumë fe dhe etni. Ka kurdë, armenë e grupe të tjera, ka njerëz me përkatësi shumë të ndryshme fetare e edhe me opinione politike të ndryshme. Prandaj, pjesa e shëndoshë e vendit duhet të punojë me të gjitha forcat për të vendosur në binarët e duhur dialogun kombëtar, i cili duhet të përkojë me armëpushimin e me bisedime të vërteta. Për këtë, të krishterët duhet të jenë hallkë e ingranazhit e jo benzinë për t’ia hedhur atij, apo këtij zjarri. Në këtë çast, është e nevojshme mbrojtja e lirisë së shprehjes, pa të cilën, çdo dialog bëhet i shurdhër. Ikja e të krishterëve vazhdon e madje, shtohet.
Ju flisni për dialog. I dërguari i OKB-së, Kofi Annan po përpiqet për këtë. Ç’mund të bëhet më tepër?
Në letrën time të hapur për Kofi Annan, kam shkruar se 300 vëzhgues nuk shërbejnë për asgjë. Minimumi, do të nevojiteshin 3000 teknikë për ndërhyrje jo të dhunshme. Por, më pas, duhet ndihmë e vërtetë nga shoqëria civile ndërkombëtare për pjesën e shëndoshë të shoqërisë civile siriane, shkatërruar nga ndeshjet, që unë vetë s’e kam pasur kurrë problem t’i quaj luftë civile.
Ju jeni lutur për paqen. Në lutje me ju mund të bashkohen të gjithë besimtarët, kudo që ndodhen…
Unë u kërkoj lutje të gjithë besimtarëve e mendime të përzemërta atyre që kujtojnë se nuk besojnë, sepse ato funksionojnë njëlloj si lutjet, pasi Zoti dëgjon me zemër. Unë vetë ndjeva se qëndrimi im u kuptua nga myslimanët, të cilëve u drejtohesha, e ata u mobilizuan për të gjetur njerëzit e rrëmbyer. Ditën e fundit, më dorëzuan njërin nga pengjet, të cilin munda ta shoqëroj në familje. Fjalë të thëna si duhet, me qartësi, me keqardhje, sjellin ndryshime të mëdha. Qëllime të drejta, guxim në të folur, dëgjim e dialog e pastaj, hiri i Tënzot, që i bashkon këto, për të arritur rezultate për Mbretërinë e Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.