2012-06-06 18:10:14

Benedikti XVI bekoi Pishtarin e Paqes, simbol i shtegtimit Maçerata-Loreto


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Benedikti XVI bekoi ‘Pishtarin e Paqes”, simbol i shtegtimit në këmbë nga Maçerata, në Loreto, më 9 qershorin e ardhshëm. I pranishëm edhe imzot Xhankarlo Veçerrika, ipeshkëv i Fabriano- Matelikës, organizator i nismës nga viti 1978, kur ishte akoma mësues i besimit në Maçerata. E pyetëm si i lindi ideja të organizonte këtë shtegtim marian:RealAudioMP3

Përgjigje: - Nga dëshira për t’i përfshirë të rinjtë gjallërisht e si protagonistë në nismën e krishterë, duke i impenjuar në përvojën e lutjes, të miqësisë, të bashkëjetesës, në mënyrë që krishterimi për ta të bëhej jetë. Pastaj kjo përvojë u bë përherë më e dëshirueshme, me pjesëmarrje gjithnjë më të madhe.

Pyetje: - Besojmë se në këtë ndikoi edhe tradita për të falënderuar Zojën e Bekuar, që u harrua disi, e pastaj rifilloi me të njëjtin devocion...

Përgjigje: - Po. Me shekullarizmin e dhjetëvjeçarëve të kaluar, kjo përvojë pothuajse u zhduk fare. Në të kaluarën familja, në përfundim të çdo nisme të rëndësishme të jetës, shtegtonte në këmbë tek Shenjtërorja e Zojës së Loretos, që ta falënderonte Nënën e Krishtit për hirin e fituar. Pastaj, kur vizita përfundonte, njerëzit riktheheshin në shtëpi të ngarkuar me gëzim, me fe, me besimin se hire të reja i prisnin në të ardhmen. Atëherë, duke dhënë mësimin e besimit në liceun klasik të Maçeratës, mendova t’i bëj të rinjtë të vetëdijshëm se kalimi nga shkolla, në pushime, nuk ishte kalim nga impenjimi, në kotësi, por rast i përshtatshëm për të falënderuar Zotin e jetës. Shumë u bashkuan me nismën. E edhe më shumë vijojnë të marrin pjesë në çdo takim.

Pyetje: - Njerëzit, që shkojnë atje, e edhe të rinjtë, gjithnjë më shpesh bëjnë kthesën e madhe të zemrës...

Përgjigje: - Po, janë shumë. Ne arrijmë edhe t’i mbledhim dëshmitë e tyre, sepse në prag të shtegtimit, në javët që i paraprijnë, arrijnë edhe ndjetet e lutjes: shumë vijnë të falënderojnë për hiret e nxjerra në korp, por në mënyrë të posaçme, për rifillimin e një jete të re në fe.

Pyetje: - Dëshirojmë të kujtojmë se në vitin 1993, në këtë shtegtim mori pjesë edhe Papa Gjon Pali II...

Përgjigje: - Kur më takonte, Papa Gjon Pali II më përshëndeste nga larg, duke më quajtur shtegtar: “Shtegtari, ja, po vjen shtegtari”. Kujtimi, që nuk do të më shlyhet kurrë nga zemra, është ai i përfundimit të Meshës, kur na dorëzoi Kryqin; atë Kryq, i cili vijon t’u prijë shtegtimeve tona. Gjon Pali II m’i nguli sytë, që dinin të depërtonin deri në thellësitë e shpirtit e më pëshpëriti. “Sa do të dëshiroja të ecja edhe unë sonte, bashkë me ju”.







All the contents on this site are copyrighted ©.