2012-06-06 18:11:51

Atë Lombardi: vijon marrja në pyetje e Paolo Gabriele-s; nuk ka njerëz të tjerë të ngatërruar në këtë ngjarje.


Takimi i ri me gazetarët i drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi. Në qendër të konferencës së shtypit, edhe një herë, ngjarja e vjedhjes së dokumenteve të rezervuara të Vatikanit, për të cilat fajësohet kryekujdestari i dhomës i Benediktit XVI, Paolo Gabriele, që u pyet edhe sot nga gjyqtarët.
Paolo Garbiele vijon t’u përgjigjet pyetjeve të gjykatësit-hetues, profesor Bonnet, por nuk është e mundur, kujtoi atë Lombardi, të mësohet gjë nga përmbajtja, sepse faza e hetimit nuk është publike. Kalendari i etapave të mëtejshme të procedimit, do të vendoset ditët e ardhshme. Përgënjeshtrim i prerë, pastaj, për lajmet, që u dukën sot në shtyp, sipas të cilave Paolo Gabriele qenkej duke u larguar nga Vatikani.
Përgënjeshtrohet, gjithashtu, nga zëdhënësi i Vatikanit, lajmi, sipas të cilit në këtë ngjarje kanë gisht edhe njerëz të tjerë. Deri më sot, i vetmi njeri, që i nënshtrohet hetimit, mbetet Paolo Gabriele. Në hetimin e tij, përveç avokatëve dhe hetuesit, është i pranishëm edhe promotori i drejtësisë, profesor Pikardi. Mund të jenë edhe persona të tjerë, por me rol jo aktiv.
Atë Lombardi sqaroi, më pas, edhe rolin i Komisionit Kardinalor që, paralelisht me magjistraturën vatikanase, po interesohet për rastin. Veprimtaria e kardinajve nuk ka natyrë procesuale. Ata kanë mandat të gjerë e po analizojnë rrethanat në të cilat ndodhi fakti, përmes dëgjimeve: dëshmi, opinione, shpjegime, që shërbejnë për të hartuar një raport, i cili do t’i dorëzohet Papës.
Nëse, pastaj, do të dalin në dritë fakte me ngjyrim penal, këto do të kalojnë menjëherë në kompetencë të magjistraturës vatikanase. Në fund, duke iu përgjigjur pyetjes mbi ish-presidentin e Ior, Gotti Tedeschi, atë Lombardi e quajti të arsyeshme të saktësojë se mosbesimi i shprehur ndaj tij, nuk ka të bëjë fare me hetimet italiane mbi Finmekanikën, në kuadrin e së cilës dje u kontrollua banesa e ekonomistit, i cili gjithsesi nuk është akoma i hetuar në të.







All the contents on this site are copyrighted ©.