2012-06-05 09:36:03

Shkodra kujton jezuitin atë Gaetano Brambilasca


Etërit Jezuitë në Shqipëri përkujtuan në Shkodër sivëllain e tyre atë Gaetano Brambilasca, që ndërroi jetë më 15 majin e kaluar në Galarate të Italisë. Me kremtimin e Eukaristisë Shenjte, jeuzitët e kujtuan atë Brambilasken, që për vite të tëra punoi ndër shqiptarë si misionar, meshtar, edukator dhe drejtues i institucioneve arsimore të jezuitëve në Shkodër. Më hollësisht mbi Meshën e dritës në përkujtim të atë Gaetano Brambilasca nga Shkodra të ndjekim shërbimin e Jolanda Babës...........RealAudioMP3

Kujtojmë se jezuiti atë Gaetano Brambillasca më 18 mars 2010 u shpall "Qytetar Nderi" i Shkodrës, pasi në 16 vite pune si drejtues i shkollës jopublike "At Pjetër Meshkalla" arriti ta rendisë ndër shkollat më të mira në Shqipëri. Për meritat dhe vlerat që ka shfaqur në shërbimin që i bëri komunitetit shkodran, Këshilli Bashkiak i Shkodrës e nderoi më 18 mars 2010 jezuitin Atë Gaetano Brambillasca me titullin "Qytetar Nderi" në një ceremoni të organizuar në sallën e bibliotekës "Marin Barleti" të qytetit, ku mori pjesë edhe konsulli italian në Shkodër, Stefano Marguccio.

Referuesit në atë takim theksuan meritat dhe vlerat që jezuiti atë Gaetano ka prezantuar gjatë viteve të qëndrimit e të misionit të tij në Shkodër e poçarërisht në drejtim të shkollës të mesme "Atë Pjetër Meshkalla" në emër të bashkësisë së Etërve Jezuitë. Pra për 16 vite atë Brambillasca bëri që kjo shkollë të jetë ndër shkollat më të mira në qarkun e Shkodrës dhe në gjithë Shqipërinë. Kujtojmë se në të kaluarën, në këtë shkollë morën mësimet e para poeti, dom Ndre Mjeda, filologu at Anton Xanoni, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Henrik Lacaj, kompozitori Tonin Harapi e shumë të tjerë.
"Vizioni dhe përvoja e madhe, puna këmbëngulëse, butësia dhe durimi i pakufishëm, thjeshtësia dhe përvujtëria e jezuitit atë Gaetano Brambilasca janë model për secilin prej nesh në profesionin e edukatorit", tha mes tjerash Aleksandër Hila, një nga mësuesit e parë dhe prej shumë vitesh nëndrejtor i kësaj shkolle.Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, shkolla "At Pjetër Meshkalla" është renditur vazhdimisht ndër 20 shkollat më të mira në shkallë kombëtare gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa në vitin shkollor 2006-2007 është renditur ndër 5 shkollat më të mira në Republikë dhe ndër 3 shkollat jopublike më të mira në shkallë vendi.

E tani diçka mbi Jezuitën misionarë në Shqipëri

Fillimi i pranisë së Jezuitëve në tokën shqiptare i përket vitit 1841 me disa Etër që vinin nga Sicilia (Itali), kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Turke dhe nuk kishte kufijtë që ka sot. Ungjillëzimi nuk ishte aspak i lehtë, sepse i duhej të përballej me kundërshtime të shumta dhe të forta.
Në vitin 1854 me vendim të Zyrës Misionare të Vatikanit dhe të Ipeshkvijve shqiptarë, u hap në Shkodër Seminari për krejt rajonin e Ballkanit Jugor dhe iu besua Etërve Jezuitë italianë.
Në vitin 1877 u themelua Kolegji Saverian, në fillim si shkollë tregtie dhe më pas si Lice klasik, pas shpalljes së Shqipërisë, në vitin 1912, si shtet i pavarur nga Perandoria Turke.
Krahas këtyre veprave u zhvillua një punë e dendur misionare, kulturore, fetare dhe artistike, me grupe muzikore dhe teatrale, me revista dhe me shtypshkronjën "Zoja e Papërlyer". Veprat që ka lënë më shumë jehonë, sidomos në malësi, kanë qenë "misionet shëtitëse" (Missione Volante), të cilët kishin një ritëm pune pak paradoksal. Gjatë dimrit, kur njerëzit qëndronin më shumë në shtëpi, misionarët shkonin nga njëra shtëpi në tjetrën për ungjillëzimin dhe pajtimin e familjeve që ishin "në gjak". Gjatë verës ktheheshin në bashkësi për të studiuar historinë dhe zakonet e shqiptarëve, të riorganizonin të dhënat shkencore që kishin mbledhur, të shkruanin relacione, të botonin libra dhe fjalorë. Edhe sot, pas 50 vjet komunizëm, është ruajtur në kujtesën popullore bagazhi i këngëve të thjeshta me tekste katekizmi të kompozuara nga etërit tanë. Por populli kujton sidomos shembullin e jetës së tyre me të vërtetë heroik, duke pësuar të ftohtin dhe duke fjetur shpesh edhe në tokë në familjet ku ishin të ftuar.
Nga viti 1927 Jezuitët e "misioneve shëtitëse" filluan të punonin edhe në Tiranë duke u kujdesur për katolikët e paktë që ishin aty. Në shtëpinë me qera ju banonin, u përpoqën të hapnin edhe një shkollë, por që nuk zgjati shumë.
Në vitin 1933 filluan ndërtimin e kishës së re të Zemrës së Krishtit. Gjë më tepër e vetme, sesa e rrallë: brenda kishës, përkohësisht, por që vazhdoi për disa vjet, ishte vendosur kapela e ritit lindor, që ndodhej në fund të navatës së majtë: latinë dhe lindorë ndiheshin mirë në një strukturë të vetme.
Në vitin 1944 komunistët erdhën në fuqi dhe konfiskuan pronat dhe veprat e Kishës me qëllim që të eliminonin të gjitha institucionet fetare, që mbaheshin si kundër kulturës ashtu edhe kundër përparimit të popullit shqiptar. Filloi kështu një shtypje e egër për zhdukjen e klerit katolik, i cili gjykohej si i rrezikshëm për ndikimin e tij të madh shpirtëror dhe kulturor mes njerëzve dhe për marrëdhëniet e tij me Perëndimin.
Më 21 qershor 1945 Atë Gardini dhe Maestri Gjergj Vata u futën në burg ku qëndruan për 10 vjet, deri në vitin 1955.
Mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1945, pas himnit Te Deum, edhe Atë Gjovani Fausti (zëvendësprovincial) dhe Atë Daniel Dajani (Rektor i Kolegjit Saverian dhe i Seminarit) u arrestuan. Pas një procesi të rremë u pushkatuan më 4 mars 1946. Disa muaj më vonë u burgos edhe Vëlla Gjon Pantalia, përgjegjës i Shtypshkronjës "Zoja e Papërlyer"; i torturuar mizorisht vdiq në shtator të vitit 1947.
Në listën e 40 dëshmitarëve të fesë, për të cilët ka filluar çështja e lumturimit, ndodhen edhe këta tre jezuitë.
Kështu filloi "via Crucis" për Jezuitët e Shkodrës dhe të Tiranës. Jezuitët italianë u përzunë, kurse ata shqiptarë u dënuan me punë të detyruara apo me burgim. Qysh atëherë deri në agimet e viteve '90 në sytë e perëndimorëve Shqipëria u zhyt në një heshtje të thellë: një heshtje që klithte më shumë se britma.

Në vitin 1990, sapo u bë i mundur praktikimi fetar, me ndryshimin e politikës së regjimit, Jezuitët u kthyen menjëherë në Shqipëri.
Në shkurt të vitit 1992 hapën në Arqipeshkvinë e Shkodrës një si "para-seminar", për një grup djemsh katolikë, të cilët kishin shprehur dëshirën për t'u bërë meshtarë.
Në vitin 1994 u ristrukturua një pjesë e pronave të vjetra ku kishte qenë edhe Kolegji Saverian, në vend të të cilin ishte ndërtuar një shkollë shtetërore. Dorëzimi i kësaj ndërtese shprehte pritjen e Jezuitëve për fillimin e misionit të tyre edukativ edhe në fushën shkollore. Kështu pak nga pak u përvijuan dy realitete, ai i Seminarit dhe ai i Shkollës së Mesme, njohur zyrtarisht nga Shteti. Seminari, me rindërtimin e disa prej Dioqezave të vjetra, u bë Ndërdioqezan, domethënë për krejt Shqipërinë: Nisi Shkollën e Filozofisë dhe të Teologjisë dhe inauguroi në vitin 1998 selinë e re të ndërtuar në vendin e ndërtesës së vjetër. Shpenzimet për përshtatjen e ndërtesës së shkollës dhe të Seminarit u mbuluan nga Organizma Kishtarë ndërkombëtarë (Renovabis), nga Provinca Italiane e Shoqërisë së Jezusit dhe nga shumë bamirës, që edhe sot e kësaj dite na mbështesin e na ndihmojnë.
Shkolla e Mesme "Pjetër Meshkalla", që është emri i një jezuiti shkodran i cili, për shkak të përballjes së tij të guximshme me regjimin, u bë simbol feje, kulture dhe lirie, zuri vendin e Kolegjit të mëparshëm saverian. Dy Etërit që morën drejtimin e saj, duke u frymëzuar nga tradita shekullore pedagogjike jezuite, janë duke gjallëruar shkollën sipas një projekti edukativ të hapur ndaj skenarit evropian, në kontekstin e një vendi që po kalon shndërrime të thella dhe në të njëjtën kohë shumë i kushtëzuar, shpesh i bllokuar nga interesa personale dhe strategji ekonomiko-politike ndërkombëtare.
Shkolla "Pjetër Meshkalla" që nga viti 1998 ka filluar të mbledhë një numër gjithnjë e më të madh djemsh e vajzash, derisa ka arritur numrin 500 (60% vajza), që është edhe numri maksimal aktualisht i mundshëm. Nxënësit janë të ndarë në 18 klasa, të krishterë (75%), pjesa më e madhe e të cilëve janë katolikë (ka pak ortodoksë) dhe myslimanë (25%). Meqë kërkesat janë të shumta, nxënësit pranohen duke iu nënshtruar një konkursi. Nga pikëpamja e nivelit social, rreth 25% e nxënësve vijnë nga fshati.
Kjo shkollë është një sfidë me rëndësi parësore për të ardhmen e Shqipërisë.

Në vitin 2000 u bë një ndarje reale e Shkollës së Mesme me Seminarin, sidomos pas ardhjes së etërve të tjerë në Rolin e Rektorit të Seminarit, Drejtorit të Studimeve të Filozofisë dhe të Teologjisë, si dhe të Drejtorit të Shkollës së Mesme.
Seminari është i ndarë në tri njësi: Seminari i Ulët me rreth 30 djem; Periudha Propedeutike, që është koha e verifikimit të thirrjes dhe e plotësimit të studimeve, me numër të ndryshëm subjektesh; dhe Seminari i Lartë me rreth 10 seminaristë. Kurset e Pesëvjeçarit Filozofiko-Teologjik ndiqen edhe nga klerikë të Instituteve të tjera rregulltare dhe nga disa motra, gjithsej 40 studentë.
Data 29 qershor 2000 është një datë e rëndësishme, pasi u shuguruan meshtarët e parë shqiptarë pas periudhën komuniste, të cilët përfunduan formimin e tyre në Seminarin e ri: 11 dioqezanë dhe një dyzinë meshtarësh rregulltarë.
Shkolla e Studimeve të Larta të Filozofisë dhe të Teologjisë, e bashkëngjitur me Seminarin, është e thirrur të ketë një rol të një rëndësie parësore: përpjekja e saj është inkulturimi në realitetin e një vendi në të cilin për fat të keq janë shumë të rënda dhe të dukshme shenjat e një izolimi shekullor gati total (më parë për shkak të pushtimit turk, më pas për shkak të diktaturës komuniste), që e ka penguar Shqipërinë të hyjë në proceset e zhvillimit historik, kulturor dhe fetar të vendeve të tjera evropiane. Në veçanti sot, në këtë rajon jugor të Ballkanit, ende të ngarkuar me konflikte me natyra të ndryshme, Shkolla e Studimeve të Larta të Filozofisë dhe të Teologjisë duhet të jetë një pikë njësimi dhe qendër studimi, që kryen edhe funksionin nxitës të gjuhës shqipe, e cila ka nevojë për terma të rinj që të shprehë përmbajtjet në fusha të ndryshme të dijes. Përveç kësaj është e thirrur edhe për një angazhim specifik në një dialog ekumenik me Kishën Ortodokse dhe në një dialog fetar me Islamin, që përbëjnë edhe kontekstin fetar mbizotërues.

Qysh nga maji i vitit 1991 Jezuitët janë kthyer edhe në Tiranë. Kisha e Zemrës së Krishtit, që nën regjim ishte bërë sallë koncertesh dhe teatër ("Kinema - Teatri i Rinisë"), u rishugurua, duke ia rikthyer shkëlqimin e mëparshëm dhe duke e ngritur në famulli. Deri në janar të vitit 2002 ajo ka funksionuar edhe si Katedrale.
Tirana sot nuk është siç ka qenë 60 vjet më parë. Migrimi i stërmadh i brendshëm ka bërë që aty të shkojnë mijëra familje, pjesa më e madhe e të cilave janë nga Veriu. Tirana sot ka një milion banorë, me një rrethinë shumë të varfër. Prania e Jezuitëve në Tiranë qendërzohet në shërbimin famullitar, ku fuqia edukative përbëhet nga një Grup Scout dhe nga shërbimi liturgjik i një grupi Ministrantësh. Por, përveç kësaj, duke u nisur nga qendra e qytetit, ku gjendet kisha, deri në rrethinat më të largëta të anës perëndimore, ata çojnë përpara një veprim të dendur social, duke u kujdesur për format e ndryshme të varfërisë dhe të lënies pas dore, duke bashkëpunuar me Bashkësinë Emmanuel për rifitimin e personave që janë të varur nga droga, dhe duke i dhënë jetë dy qendrave të riedukimit social, një në lagjen e Kombinatit dhe një tjetër në fshatin e Vaqarrit. Në gjithë këtë vepër ata ndihmohen nga Motrat e Nënë Terezës. Bashkësia e Jezuitëve të Tiranës është vënë në lëvizje në mënyrë që të mund t'i përgjigjet më me lehtësi emergjencave. Kështu gjatë luftës në Kosovë (1997-1999) janë angazhuar përmes Jesuit Refugee Service (JRS), për të lehtësuar vuajtjet e refugjatëve, të cilët u detyruan të lënë shtëpitë dhe tokën e tyre për t'u shpëtuar masakrave. Kanë ruajtur kohë dhe energji për t'i bërë ballë situatave të rënda të varfërisë, për t'i kundërshtuar me forcë trafikut të prostitucionit, ende shumë të përhapur, dhe ikjes në masë të të rinjve në Perëndim.
Sidomos në fillim të viteve '90, Jezuitët, në Shqipërinë që po thithte ajrin e parë të lirisë, kanë punuar edhe për ndërtimin dhe rindërtuar e kishave në disa fshatra, p.sh. në Bilaj, Bizë, Arameras (Tiranë), Gur i Zi, Rragam (Shkodër), Pistull e Paçram (Sapë), ku bënin edhe punën e famullitarit. Por nuk janë interesuar vetëm për vendet e kultit, por edhe për situatën sociale të njerëzve. Në Bizë, afër Kepit të Rodonit, një seri fshatrat me traditë të lashtë të krishterë nuk kishin asnjë lidhje me qendrat e mëdha. Vepra e parë e vullnetarëve tanë ka qenë sheshimi i më shumë se 20 km rrugë.
Nuk ka reshtur veprimi ynë në botën universitare, për të rritur dialogun mes fesë dhe kulturës, mes Ungjillit dhe kërkimit shkencor, edhe me qëllim që të vihen bazat e një Universiteti të ardhshëm Katolik. Jemi duke kërkuar të fillojmë një shërbim Baritor Universitar dhe të organizojmë takime shkëmbimi dhe thellimi mes docentëve universitarë e përfaqësuesve të drejtësisë me ndonjë Docent të Universiteteve italiane.
Pas 14 vjetësh Jezuitët e ndiejnë se duhet të bëjmë një kërcim cilësie drejt Diakonisë së shpalljes së parë ungjillore, në mënyrë më organike dhe më të vendosur, duke e liruar në mënyrë më të qartë imazhin e Kishës dhe veprën e saj prej angazhimit edhe pse të dobishëm të asistencës bamirëse.
Për këtë është e nevojshme një njësi më e madhe kishtare mes përbërësve të Kishës lokale për realizimin e një strategjie të përbashkët, që të ketë si qëllim formimin e ndërgjegjeve dhe të personave. Pas gurëve materialë të përdorur për ndërtim, nevojiten gurët e gjallë për bashkësinë.
Në vazhdën e traditës së lashtë, Jezuitët e pranishëm sot në Shqipëri vazhdojnë veprën e tyre misionare, së bashku me shumë të tjerë, si brenda Kishës, me meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë, ashtu edhe me të krishterët ortodoksë dhe me besimtarët e fesë islame, për rritjen njerëzore, kulturore dhe fetare të popullit shqiptar, që të gjithë përbërësit socialë dhe fetarë të dialogojnë mes tyre dhe, me ndryshimet e tyre, të ndihmojnë në riformimin e identitetit dhe të pasurisë së Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.