2012-06-05 12:16:36

Kardinali Bertone për TG1: është çasti për t’u bashkuar. Vetëm disa dokumente të pjeshme nuk e frikësojnë Papën


Takimi Botëror i Familjeve në Milano dhe hetimi për daljen e dokumentave të rezervuara nga Vatikani, janë temat e intervistës së mbrëmshme të Sekretarit të Shtetit, kardinalit Tarçizio Bertone, për Emisionin e lajmeve të orës 20, në RAIUNO. I sapokthyer nga Milano, ku shoqëroi Papën, në udhëtimin e tij triditor, kardinali komenton për televizionin italian, entuziazmin dhe dashurinë, që u tregua për Benediktin XVI dhe për fjalët e tij, që i prekën të gjithë, jo vetëm katolikët:RealAudioMP3
Është e vërtetë. E eksperimentuam të gjithë këtë shfaqje të jashtëzakonshme të dashurisë për Papën, këtë mbështetje për të e për mësimet e tij, për veprimtarinë e tij, këtë gëzim e entuziazëm përreth tij. Pashë shumë njerëz të mallëngjyer nëpër rrugët e Milanos. Flas për rrugët e Milanos të premten ose të shtunën, pra jo vetëm për njerëzit e shumtë të grumbulluar në stadium, apo në parkun e Bresos… Ishte një akt vlerësimi për Benediktin XVI, i cili u quajt “trajneri i madh” i skuadrës së Kishës universale për kampionatet e mijëvjeçarit të tretë. Mori aq shumë duartrokitje, sa asnjë lojtar, asnjë trajner, asnjë protagonist i jetës shoqërore, ose artistike, nuk i ka marrë kurrë. Prandaj, Papa ishte shumë i kënaqur dhe shumë i mallëngjyer.
Ati i Shenjtë foli për familjen, si për një element të dobishëm e të domosdoshëm edhe për kapërcimin e krizës ekonomike aktuale botërore…
Po. Familja, e parë si pasuri, para së gjithash, si pasuri morale. Një familje e bashkuar, një familje që edukon, një familje virtuoze që u mëson virtytet themelore fëmijëve, që u mëson si të punojnë e si të respektojnë të tjerët, që u mëson solidaritetin. E pastaj, një familje, pasuri e madhe për shoqërinë, siç kanë dëshmuar edhe sociologët modernë. Papa këshilloi edhe përdorimin e mjeteve konkrete, si ato të solidaritetit, të vëllazërimit ndërmjet familjeve, duke përkrahur sidomos ato në vështirësi, të binjakëzimit ndërmjet famullive, bashkësive e qyteteve. Më duket se përcaktoi edhe rrugët konkrete për të dalë nga gjendja e pasigurisë e për të ecur përpara.
Mediat u dhanë shumë rëndësi këtyre ditëve, edhe për shkak të hetimit mbi dokumentat e rezervuara të publikuara në shtyp. Provë e vërtetë transparence për Selinë e Shenjtë…
Edhe kjo është e vërtetë. Kujtoj pikërisht të shtunën mbrëma, kur ktheheshim nga parku i Bresos, drejt Duomos së Milanos. Isha me kardinalin Skola në makinë. Pamë vetratat e Duomos të ndriçuara e komentuam menjëherë: “Kjo është Kisha, një shtëpi plot dritë, pavarësisht nga gabimet e njerëzve të Kishës”. Por transparenca është çështje impenjimi, solidariteti e besimi. Nuk është akt cinizmi, apo i sipërfaqshëm: nuk mjafton të njihesh me disa dokumenta, të botosh dokumenta të pjesshme për të nxjerrë në dritë të vërtetën e plotë me fakte. Shpesh ndodh që sqarimet të jenë fryt i dialogut, i marrëdhënieve personale e, edhe i kthimit të zemrës, gjëra që nuk rezultojnë thjesht nga kartat, apo nga burokracia. Letrat janë të rëndësishme, por marrëdhëniet personale janë edhe më shumë. Gjëja më e trishtuar në të gjithë këto ngjarje është dhunimi i ambientit të Atit të Shenjtë dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Por, dua të nënvizoj se këto nuk janë ditë përçarjesh, por bashkimi e, dua të shtoj, se janë para së gjithash, ditë force në fe, ditë vendimesh marrë me qetësi të sigurtë. Është çasti i bashkimit për të gjithë ata, që duan t’i shërbejnë vërtet Kishës.
Ndoshta të gjithë do të donin t’jua bënin këtë pyetje: si i jeton Ati i Shenjtë këto ngjarje? A mund të mendohet, siç ka shkruar ndokush, se qëllimi është të sulmohet Kisha dhe Papa?
Sulmet instrumentale kanë qenë gjithmonë, në të gjitha kohrat: i kujtoj edhe nga përvoja ime në Kishë, për shembull, në kohën e Papës Pali VI, jo aq e largët. Por, kësaj radhe, duken sulme më të përcaktuara, nganjëherë edhe të egra, shkatërruese e të organizuara mjaft mirë. Dua të nënvizoj këtu se, siç e dinë të gjithë, Benedikti XVI është njeri i butë, njeri i fesë dhe i lutjes. Natyrisht, nuk frikësohet nga sulmet, sido që të jenë, e as nga korja e fortë e paragjykimeve. Ata që i qëndrojnë afër e punojnë me të, e gjejnë forcën e vet në forcën e madhe morale të Papës. Siç kam thënë edhe herë të tjera, Benedikti XVI është njeri, që i dëgjon të gjithë, është njeri që ecën, duke i qëndruar besnik misionit të besuar nga Krishti dhe e ndjen dashurinë e njerëzve. Sidomos këtyre ditëve, ndjeu një dashuri vërtet të madhe të njerëzve të afërt, të të rinjve e të familjeve me fëmijë, që duartrokisnin pa pushim për Papën. Më duket se udhëtimi në Milano i ka dhënë më shumë forcë. Dua të theksoj një fjalë, që e tha shpesh, madje, edhe para se të nisej nga oborri i kryeipeshkvisë së Milanos: është fjala “guxim”. Ua tha të tjerëve, ua tha të rinjve, atyre që përpiqen të krijojnë familje, ua tha familjeve në vështirësi e madje, edhe autoriteteve e, ia thotë edhe Kishës mbarë. Këtë fjalë e thotë sepse është i bindur, është forca, që i vjen nga feja e nga ndihma e Zotit, prandaj u thotë të gjithëve: “Guxim!”. E ua tha edhe të dëmtuarve nga tërmeti. Përsëris; do të doja ta bënim tonën këtë fjalë, pranë Papës, nën udhëheqjen e Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.