2012-06-04 16:23:48

U lumnua në Francë atë Zhan-Jozef Latastë, “apostull i burgjeve”.


Për herë të tretë, brenda muajit, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, ishte në Francë, për të kryesuar një rit lumnimi, si përfaqësues i Atit të Shenjtë. Dje, në Bezanson, u lartua në nderimet e elterit atë Zhan-Jozef Latastë, domenikan, i cili, në jetën e tij të shkurtër, dha një dëshimi të jashtëzakonshme mëshire e dashurie për të afërmin.RealAudioMP3
Zoti e thirri shumë shpejt atë Zhanin, i cili asokohe thirrej ende Alçid, emër që i vunë prindërit në Pagëzim. Po ai nuk hyri menjëherë në rrugën e jetës rregulltare. Për një farë kohe jetoi si laik, në shërbim të veprave të bamirësisë, pranë Konferencës së Shën Vinçencit. Iu kushtua plotësisht Zotit, duke zgjedhur jetën rregulltare në Urdhërin e Etërve Predikatarë, vetëm pasi i vdiqën njëra pas tjetrës, e fejuara e shumëdashur, Çeçilia, e motra murgeshë dhe mëndesha plakë, siç e kujtoi edhe kardinali Amato:
“I shuguruar meshtar në vitin 1863, ato pak vite meshtarie – sepse vdiq në vitin 1869, në moshën 37 vjeçe - ia kushtoi predikimit dhe themelimit të një Kongregate rregulltare, kushtuar shpëtimit njerëzor e shpirtëror të grave të burgosura”.
Ishte data 15 shtator 1864 kur atë Latastë hyri për herë të parë në burgun femëror të Kadilak-syr-Garonë. Shkoi vetëm sa për të bërë dëgjesën, duke besuar pak e aspak në një apostullim të kësaj natyre. Si i njohu nga afër gratë e mbyllura pas hekurave të kryqëzuara, u propozoi të bëheshin murgesha klauzure e të jetonin në lutje e kundrim. Nisi t’i kalojë netët në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament, të cilit ia kishte kushtuar gjithë vetveten. E edhe propozimin, që u bëri të burgosurave, ndonëse realizimi i tij vijonte t’i dukej tejet i vështirë, gati-gati i pashpresë. E Zoti iu përgjigj, duke e lënë krejt të habitur përballë lutjes së të burgosurave e forcës së fesë së tyre. Si i devoçëm i Shën Marisë Magdalenë, ishte i bindur se Zoti nuk bën dallime ndërmjet grave të pafajshme e atyre mëkatare, se mendon për shpëtimin e shpirtrave, duke llogaritur vetëm peshën e dashurisë për Të. Gjithsesi propozimi i tij nuk mund të realizohej pa pengesa. Jetonte në Francën me ndikime të forta zhanseniste, ku portat e kuvendeve nuk mund të hapeshin lehtë për ish-prostitutat, të burgosurat, të përjashtuarat nga radhët e shoqërisë. Po ai nuk hoqi dorë: themeloi, kështu, Kongregatën e Motrave Domenikane të Betanisë, ku nisën të jetojnë vajza të të gjitha shtresave, në kundrim të vazhdueshëm, duke ia kushtuar jetën lutjes e studimit, por edhe shërbimit ndër burgje. E gjithë kjo (e atë Latastë ishte i bindur) u arrit falë forcës pastruese të Eukaristisë. Kardinali Amato citoi disa nga fjalët, që pati shkruar i Lumi i ri:“Mendoj se ky Sakrament sublim dashurie nuk u themelua si shpërblim vetëm për shpirtrat e lira, të panjollë, por edhe si ilaç, që shkatërron helmin e së keqes, si pishinë për të larë plagët e shpirtit, si balsam për të shëruar sëmundjet, si burim dashurie, ku rigjinden forca e guximi, për të cilat kemi aq shumë nevojë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.