2012-06-04 16:25:46

Shqipëri: Presidenti mund të votohet në raudin e tretë


Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi sot, në një konferencë për shtyp, takimin e mbrëmshëm midis Kryeministrit Sali Berisha e kreut të PS-së, Edi Rama si dhe vullnetin e shprehut nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje konsensuale.
"Ekzistojnë të gjitha mundësitë që kjo zgjidhje të vijë në raundin e tretë. Kjo kërkon dyfishimin e përpjekjeve nga të gjithë për të ecur drejt kësaj zgjidhjeje", tha Meta.
"Lidhur me qëndrimin e maxhorancës duhet të ritheksoj se ajo ka bërë një kapërcim të madh, i cili duhet vlerësuar, duke dalë nga kandidaturat politike, të cilat maxhorancës natyrisht nuk i mungojnë dhe duke përzgjedhur pas diskutimit të emrave të tjerë gjithashtu një figurë tepër bindëse si ajo e z. Xhezair Zaganjori, me bindjen se përfaqëson standardet më të larta për postin e Presidentit, por njëkohësisht, me bindjen që është një figurë që nuk jep asnjë arsye të rëndësishën për të mos u pranuar dhe konstestuar", theksoi kreu i LSI-së.
Sipas tij, "ky është një proces i dyanshëm. Nuk ka qenë perfekt deri tani, por kjo nuk duhet të thotë se duhet të qëndrojmë tek paragjykimet, të cilat mund të ktheheshin në pengesë për gjetjen e konsensuesit dhe në këtë drejtim opozita duhet të jetë interaktive, që edhe ajo të bëjë propozimet e saj, sepse maxhoranca nuk është reflektor".
"Në çdo rast unë jam i bindur se kandidatura e Zaganjorit gëzon një konsensues më të gjerë se ai i maxhorancës parlamentare, pra në mënyrë të veçantë në opinonin publik apo edhe në partnerë ndërkombëtarë. Është e rëndësishme që opozita të jetë aktive dhe të bëjë propozimet e saj dhe të jetë pjesë aktive e këtij procesi", nënvizoi Meta.
Sipas kreut të LSI-së, "asnjë palë nuk kërkon një kandidat të vetin, sepse edhe maxhoranca, nëse do të kërkonte kandidat të vetin, do të kishte propozuar një kandidaturë politike".
Në rastin konkret, theksoi Meta, "kemi të bëjmë më një kandidat që është votuar nga PS përpara shumë vitesh si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe nëse nuk ka patur paragjykime në atë moment për këtë kandidaturë, të jeni të sigurtë se nuk ka edhe sot. I vetmi ngërç është më shumë psikologjik, i cili ka të bëjë me mënyrën jo perfekte të komunikimit mes maxhorancës dhe opozitës".
"Maxhoranca mbetet e hapur që opozita të kontribuojë, jo vetëm me refuzime, kritika, apo me vërjetje, por edhe me propozime konkrete në këtë proces që dëshirojmë të jetë konsensual", u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.







All the contents on this site are copyrighted ©.