2012-06-04 16:24:25

Atë Lombardi: “Sukses, që vlerëson çfarë ka më të bukur Kisha”.


Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, është i bindur se këto tri ditë gëzimi janë ndihmë e madhe, për të përballuar problemet.
“Më mirë se kështu, nuk mund as të shpresonim; madje nuk ra as shi: gjithçka shkoi mrekullisht mirë”. Atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Selisë së Shenjtë, e komentoi kështu suksesin e madh të Takimit Botëror të Familjeve, në të cilin, tha ai, morën pjesë gjithsejt, duke pasur parasysh pjesëmarrësit në ngjarjet e ndryshme, ndërmjet një milion e gjysëm-dy milion vetë. Ishte një ngjarje kishtare tejet shprehëse për shoqërinë e për mbarë njerëzimin. “Gjithçka në shërbim të pozitives, për të ndihmuar e për të vlerësuar çfarë ka më të mirë në botë e në Kishë”.
Papa Benedikti XVI, vijoi zëdhënësi i Vatikanit, do t’i shikojë këto tri ditë gëzimi kaluar në Milano, si burim ndihme për t’i përballuar me hov e shpresë problemet, nga të cilat vuan Kisha, posaçërisht pas botimit të dokumenteve të rezervuara, që çoi në arrestimin e kryekujdestarit të Shtëpisë Papnore, Paolo Gabrieli.
Në këto ditë, shton atë Lombardi, e pamë Papën të qetë, shumë të kënaqur. E realizoi plotësisht impenjimin baritor papnor, duke kumtuar lajme të mira për shoqërinë. Ishin tri ditë mrekullisht të bukura për Kishën, plot çaste prekëse e me thellësi të vërtetë shpirtërore. Papa qe shumë i vëmendshëm e i ndjeshëm përballë qëndrimit të popullit, që i shprehu gjithë dashurinë e tij, gjë që Benedikti XVI e jetoi me gëzim e mirënjohje, nga fillimi, e deri tek duartrokitjet e fundit të stuhishme, që shoqëruan edhe çastet e mbylljes së këtyre ditëve plot mbresa të thella.
Përsa i përket botimit të ri të dokumenteve të rezervuara (një pa emër e një me emër), që u dukën përsëri sot, në një nga gazetat, atë Lombardi vërejti . “Nuk më çudit aspak botimi i dokumenteve të tjera, as nuk jam më aq i shqetësuar. Nëse ka gjë, që më shqetëson, është situata e përgjithshme e dokumenteve të shumta, që kanë dalë, gjë që na bën të mendojmë për domethënien, e edhe për qëllimet që synohen të arrihen”.
Nuk presim që dokumentet e botuara deri tani të jenë të fundmet, tha në vijim drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, e nuk do të çuditesha aspak në se në ditët e ardhshme do të botohen edhe të tjera. Është e qartë se kush i përvetësoi dokumentet e shumta, luan me to, sipas strategjive e synimeve të veta, pa i shfrytëzuar të gjitha menjëherë, për të na lënë, pastaj, të qetë.
Së fundi, atë Lombardi njoftoi se Kryeministri italian, Mario Monti, dje e përshëndeti Papën Benedikti XVI në përfundim të Meshës në Parkun e Bresos. Kryeministri, kujtoi Atë Lombardi, e priti Papën në fund të rrugës, që bëri me papamobil deri në sakresti e aty shkëmbeu një përshëndetje të shkurtër me Atin e Shenjtë.
Shenjë mirësjelljeje, njerëzie, jo bisedim i mirëfilltë, e quajti atë Lombardi, i cili nënvizoi vlerën e pranisë së Kryeministrit, në një çast kaq të rëndësishëm jo vetëm për Kishën, por edhe për shoqërinë, duke pasur parasysh temën e takimit të madh, domethënë, familjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.