2012-06-03 17:22:18

Shenjtorët e Javës


Sot e diel, 3 qershor, Kisha kremton festën e Trinisë së Shenjtë. Gjithnjë më 3 qershor kalendari kujton shën Karl Lvangan me shokë, martirë të Ugandës dhe shën Klotilda, mbretëreshë e frankëve.
Festa e sotme na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por “bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.

Të hënën më 4 qershor kalendari do të përkujton shën Françesk Karaçiolon, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe e shën Kuirini, martir.
Liturgjia e ditës na kujton se njeriu i drejtë i jep lavdi Hyjit me bindjen se feja nuk është pronë e jonë personale por dhuratë Hyjnore. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti u dhurohet vreshtarëve. Ne kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti i tij, edhe feja na është dhuruar për ta ushqyer çdo ditë besimin tonë në Zotit e dashurinë ndaj Tij dhe të afërmit.

Të martën më 5 qershor, kalendari kujton shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile.

Të mërkurën më 6 qershor, kalendari kujton shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; shenjtorët Artemi e Paolina, martirë dhe shën Klaudin, abat e ipeshkëv.
Në bisedën që bëjnë saducenjtë e farisenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë. Këtë na kujton liturgjia që do të përkujtohen të mërkurën.

Të enjten më 7 qershor, Kisha do të kremtojë Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit, që në shumicën e vendeve të botës kjo festë shtyhet për të dielën e ardhshme. Solemniteti na nxit të reflektojmë se dashuria për Zotin nuk mund të ndahet nga dashuria për të afërmin: janë dy faqe të së njëjtës medalje e stil i një jete, që e ka themelin e vet tek Krishti i vdekur e i ngjallur, që na la si trashëgim dashurie, Korpin e Gjakun e vet.

Të premten më 8 qershor, kalendari kujton shën Medardin, ipeshkëv i Nojonit. Kisha na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.

Të shtunën që vjen më 9 qershor, bie kujtimi i shën Efremit, diakon e doktor i Kishës, e shën Primos (Prelës) dhe i shën Feliçianit, martirë.
Nuk ka rëndësi sasia e dhuratave, por cilësia e tyre: në se japim atë që nuk na duhet, ç’shpërblim meritojmë? Por në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri.

Të dielën e ardhshme më 10 qershor, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit. Solemniteti i Korpit e Gjakut është Eukaristia Shenjte, gostia e Pashkëve, në të cilën vet Krishti, duke realizuar sakramentalisht Pashkët e veta, na dhuron Korpin e Gjakun e vet, të ofruara si ushqim e pije, na bashkon me vetveten dhe na lidh ndërmjet nesh përmes flijimit të tij shëlbimprurës. (nga Katekizmi i Kishës katolike, Compendio, 287).







All the contents on this site are copyrighted ©.