2012-06-03 17:14:34

Një milion në Meshën e Bresos. Papa: familje, shndërrojeni botën. Në Filadelfia, Takimi i vitit 2015


Me sytë e zemrat drejtuar nga Takimi Botëror i ardhshëm në Filadelfia, në vitin 2015, familjet e të gjithë botës përshëndetën Papën Benedikti XVI, në mbyllje të ditës së tretë e të fundit të vizitës së Atit të Shenjtë në Milano të Italisë. Impresionuese, pamja e sotme e aeroportit të Bresos, ku në një fushë tejet të madhe, ishin mbledhur një milion vetë, familje të të gjitha ngjyrave nga 150 kombe, së bashku me fëmijët, mes karrocave e biberonëve, por edhe mes entuziazmit, për të dëshmuar bukurinë e kishës shtëpiake, e cila, me sa duket, u shpëton sociologëve e mediave, që profetizojnë fundin e familjes. Të pranishëm edhe shumë shqiptarë, që me flamujt e veshjet kombëtare tërhoqën shpesh vëmendjen e telekamerave. Delegacioni nga Shqipëria kryesohej nga ipeshkvi i Lezhës, imzot Ottavio Vitale.RealAudioMP3
Dashuria e familjes, që beson në Ungjillin, është forcë për vetë familjen e për botën, ku ajo jeton. Ky qe thelbi i homelisë së Papës, në meshën e paradites, që mbylli Takimin VII Botëror të Familjeve, me temë “Familja: puna dhe festa”. Takimi i ardhshëm, siç tha Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, do të mbahet në qytetin amerikan të Filadelfias. Ati i Shenjtë u foli prindërve e fëmijëve, pa doreza:
“Të dashur bashkëshortë, kujdesuni për fëmijët e, në një botë ku mbizotëron teknika, përçojuni atyre, me qetësi e besim, arsyet për të jetuar, forcën e fesë, duke u hapur horizonte të gjera e duke i ndihmuar për t’i kapërcyer dobësitë. Por edhe ju fëmijë e bij duhet të dini të mbani gjithnjë marrëdhënie dashurie të thellë e kujdesi me prindërit. Edhe marrëdhëniet ndërmjet vëllezërve e motrave duhet të jenë rast për t’u rritur në dashuri”.
Sot, vërejti Papa, gjendja e familjes nuk është e lehtë, por dashuria është e vetmja forcë, që mund ta shndërrojë botën. Benedikti XVI nuk harroi as të divorcuarit, sidomos ata, që e vuajnë në shpirt ndarjen me bashkëshortin:
“Dua t’u them një fjalë edhe atyre besimtarëve, që, megjithëse i pranojnë mësimet e Kishës për familjen, përjetojnë përvoja të dhimbshme dështimi e ndarjeje. Ta dini se Papa dhe Kisha ju mbështesin në vuajtjen tuaj. Ju inkurajoj t’u qëndroni pranë bashkësive tuaja, ndërsa uroj që dioqezat të realizojnë nisma të përshtatshme për afrimin e pranimin e këtyre personave”.
Edhe në Kongresin teologjik baritor, që u zhvillua në ditët para ardhjes së Papës në Milano, u disktua për raportin ndërmjet punës e festës, në gjirin e familjes. Jetojmë në një kohë kur konsiderohet i natyrshëm flijimi i pushimit e i festës në elterin e punës. Por, theksoi Ati i Shenjtë, zhvillimi i harmonishëm, e mira e familjes, ndërtimi i një shoqërie më të drejtë, nuk mund të udhëhiqen nga llogjika e përfitimit maksimal, e cila sjell vetëm konkurrencë të pamëshirshme, pabarazi, shkatërrimin e ambientit, konsumin pa fre, duke minuar deri marrëdhëniet ndërpersonale e familjare. E diela, nënvizoi Papa, nuk është një ditë si të tjerat për të krishterin:
“Është dita e familjes, në të cilën duhet jetuar së bashku festa, takimi, bashkëndarja e, edhe pjesëmarrja në Meshën Shenjte. Të dashura familje, megjithë ritmet tepër të shpejta të epokës sonë, mos e humbni kuptimin e ditës së Zotit! Është si një oazë, ku duhet të ndalemi për të shijuar gëzimin e takimit e për të shuar etjen tonë për Zotin”.
Pas Meshës, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI dha lajmin për vendin ku do të zhvillohet Takimi VIII Botëror i Familjeve. Dukshëm i mallëngjyer e mirënjohjës për dashurinë e madhe, që i treguan, Papa tha:
“Kam kënaqësinë të shpall se Takimi i ardhshëm Botëror i Familjeve do të zhvillohet në vitin 2015, në Filadelfia të SHBA-ve”.
Ipeshkvi ndihmës i Milanos, imzot Erminio De Scalzi, duke e falenderuar Papën për ditët e paharrueshme kaluar së bashku me familjet në qytetin italian, lajmëroi se Benedikti XVI do t’ua japë të dëmtuarve nga tërmeti në Emilia Romanja, shumën prej 500 mijë eurosh, mbledhur gjatë Takimit Botëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.