2012-06-02 17:27:49

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së TRINISE SHENJTE.


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që përkon me festën e Trinisë Shenjte.
Pas festën së Rrëshajëve, festës së Shpirtit Shenjtë, kremtuar të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë së Shenjtë- Hyjnore.
Kështu pra, edhe kësaj here jemi të bashkuar përmes valëve radiofonike, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, për ta dëgjuar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini.
Tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e zbulim i misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë Zot= Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vehtje ( në tre persona).
Leximet biblike të liturgjisë së këtij solemniteti pohojnë se Zoti është Trini Dashurie për t’u besuar, për t’u dëgjuar e për t’u pranuar në jetë.
Zoti ynë është Zot “bashkësi” ; Ai do që ne ti bashkohemi Atij e në të njëjtën kohë na thërret të jemi në bashkim edhe me të gjithë vëllezërit e të afrimit tanë.
Hyjit Atë nuk është larg nesh: përmes Pagëzimit, Hyji Trini vjen në ne, që ne të bëhemi tempull i gjallë i pranisë së Tij në kohë e në histori. Kështu pra, detyra e misioni ynë si besimtarë është ta lavdërojmë Atin, Birin e Shpirtin Shenjtë me lutje e sidomos ta dëgjojmë me vepra të mira, me vepra drejtësie, dashurie e të vërteta.
Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezusin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.
Hyji Atë bashkë me të Birin e Tij Jezus Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe e dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë dhe të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës e Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.
Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.
Kisha na mëson që nga fëmijëria të fillojmë çdo ditë, të nisim çdo vepër, çdo punë me shenjën e kryqit, që do të thotë Gjithçka të fillojmë dhe mbarojmë në Emër të Shenjtënueshmes Trini.
Me shenjën e kryqit përkujtojmë misterin e Njësisë e Trinisë së Hyjit, dhe misterin e mundimeve, të vdekjes e ngjalljes së Jezusit Zot.
Edhe kremtimi më solemn liturgjik, që është kremtimi i meshës shenjte, Eukaristia, fillon në emër të Shenjtënueshmes Trini Hyjnore. Meshtari u drejtohet besimtarëve me këto fjalë: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkimi i Shpirtit Shenjtë “(qofshin përherë me ne).
Festa e kësaj së diele e Trinisë Shenjte, është kremtimi liturgjik që meriton të konsiderohet absolutisht si festa më e rëndësishme ndër të gjitha festat tjera.
Për besimtarët, e vetmja festë qiellore është adhurimi i Trinisë Shenjte nga ana e engjëjve dhe shenjtorëve, në një Hosana të përhershëm këngësh e lavdesh.
Trinia është në ne
Jezusi tha: “Unë jam në Atin e Ati është në mua”. Edhe ne mund të themi: “Unë jam në Trininë e Trinia është në mua”. Në të vërtetë ne jemi Tempull i Zotit.
“Kush më do – tha Jezusi – unë dhe Ati im do të vijmë tek ai e të hamë darkë me të”, e do të vendosim banesën e përhershme tek ai.
Babai i Origenit (teologut të lashtë kishtar) gjunjëzohej para fëmijut të vet dhe në të e adhuronte të Shenjtënueshmen Trini.
“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëllimit tonë, të ngjashëm me ne”, thotë Zoti në momentin e krijimit të Adamit.
Në të gjithë prindërit e botës ekziston dëshira për të parë në fytyrën e fëmijëve tiparet e veta. Mirëpo ne nuk jemi shëmbëllim – imazhi i Zotit për tiparet “fizike” që kemi – për kokën, duart e këmbët – sepse Zoti nuk ka trup.
Secili është i krijuar në shëmbëllim të Zotit sepse është i pajisur me inteligjencë, me mendje, me vullnet, me shpirt.
Por më shumë se njeriu si individ, është familja ajo që i pasqyron tiparet trinitare: babai, nëna, fëmija: janë tre persona të ndryshëm, e megjithatë janë një familje e vetme, një gjë e vetme në dashuri. Zoti, në të vërtetë, është Familje, është Dashuri.
O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. urtia e Zotit, e zbuluar, e dëftuar në Jezusin i tregon njeriut të vërtetën mbi veten dhe rrugën për arritur deri tek Ti.
Çdo i krishterë është i thirrur ta përjetojë, ta shijojë këtë përvojë pajtimi me Zotin, në Jezusin, ta njohë vetveten në fytyrën e Zotit bërë njeri e ta jetojë në fe dashurinë e Zotit për ne.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Lp 4, 32-34.39-40

Hyji është në zanafillën e historisë së Izraelit. Ka udhëhequr patriarkët (Abraha-min, Isakun, Jakobin) drejt tokës së premtuar dhe në vazhdim ka nxjerrë jashtë nga Egjipti popullin e tij për ta drejtuar drejt lirisë. Nëse Hyji ka udhëhequr dje popullin e Izraelit drejt lirisë, pse nuk mund akoma sot ta udhëheqë ecjen e historisë sonë? Hyji është një i vetëm dhe dashuria e tij është e amshuar, dhe dje ashtu si sot, pret gjithmonë nga njeriu të njëjtën përgjigje besnikërie.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli e tha: “Shqyrtoji kohët e lashta që ishin para teje, qysh prej ditës kur Zoti e krijoi njeriun përmbi tokë, shqyrto prej një skaji të rruzullit në tjetrin: A ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe? A është dëgjuar një gjë e tillë? A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë? Ose, a ka sprovuar ndonjë herë Hyji të hyjë e të marrë për vete një komb në mes të një populli tjetër: me provë, me shenja e me mrekulli, me luftë, me dorë të fortë, me krah të ngritur e me tmerr të madh, sikurse i bëri të gjitha këto ndër sytë tuaj për ju Zoti, Hyji juaj, në Egjipt? Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka! Mbaji urdhërimet e tija dhe ligjet e tija që unë po t’i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji yt, ta jep përgjithmonë.”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 33
Lum ai popull që i përket Zotit

E drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt,
prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor.
Si foli, gjithçka u bë,
ai urdhëroi, gjithçka u përftua!

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.

Leximi i dytë Rm 8,14-17.
Me dhuratën e Shpirtit Shenjt mund t’i drejtohemi Hyjit Atë, me të njëjtin familjaritet si të Jezusit duke e thirrur “Abba, Atë!”. Një hebre apo një pagan nuk do ta kishte lejuar kurrë një familjaritet të tillë. Vetëm Shpirti Shenjt ka mundur tu frymëzojë të krishterëve këtë guxim. Hyji është Atë dhe na fton të hyjmë në hyjninë e tij, duke na lënë të lirë që të kryejmë një zgjedhje të vërtetë dashurie.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashë-gimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:
Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja.

Ungjilli Mt 28, 16-20

Jezusi pas një jete të fshehtë dhe plot persekutime deri në vdekjen në kryq, shfaq se cili është Ai me të vërtetë. Qielli, toka dhe gjithë njerëzimi janë në duart e tij dhe Ai u përket të gjitha kombeve. Jezusi u beson dishepujve detyrën për të transmetuar besimin, për të kremtuar shpëtimin dhe për të dëshmuar praninë e tij çdo njeriu.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Trinisë së Shenjtë, mund të dëgjoni këtu leximet biblike dhe komentin nga prifti shqiptar i dioqezës së Sapës së Shqipërisë, dom Mark Shtjefni...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.