2012-06-02 17:04:50

FAMILY 2012. “Poema e meshtarisë, gjatë takimit të Benediktit XVI me priftërinjtë e rregulltarët në Katedralen e Milanos.


Para se të takohej me të rinjtë, Benedikti XVI hyri në Katedrale, ku foli për ‘poemën’ e meshtarisë, për bukurinë e një zemre, që nuk ndahet, por i kushtohet e tëra Zotit me kushte rregulltare. Priftërinjtë, murgeshat e rregulltarët, me të cilët kremtoi “Orën e mesme” sipas ritit ambrozian, e pritën Atin e Shenjtë me duartrokitje e dashuri. E Papa pohoi edhe një herë karakterin e pashembullt të meshtarisë:
“Pa dyshim, dashuria për Jezusin vlen për gjithë të krishterët, por fiton një kuptim të veçantë për meshtarin, që ka zgjedhur çelibatin, duke iu përgjigjur thirrjes e duke ia kushtuar plotësisht gjithë jetën Zotit e të afërmit: vetëm e gjithnjë në Krishtin gjindet burimi e modeli për t’iu përgjigjur ditë për ditë Zotit me fjalët “u bëftë vullneti yt”.
Ju inkurajoj ta shikoni ardhmërinë plot besim, pa e harruar kurrë besnikërinë e Zotit, theksoi Papa, duke kujtuar, në vijim, emrat e shumë meshtarëve të Lum, që edhe kohët e fundit u bënë shembull i ndritur i jetës së krishterë. Ndërmjet tyre, Karlo Njoki e Luigji Monxa:
“T’i lypim plot besim Punëdhënësit ta bëjë gjithnjë të frytshme meshtarinë tonë, ta fuqizojë dëshminë e njerëzve të shuguruar, për t’i treguar botës sa gjë e bukur është t’ia dhurosh vetveten Krishtit e Kishës. T’i lutemi t’i përtërijë edhe familjet e krishtera, sipas planit të Tij, që të jenë vatra hiri e shenjtërie, tokë pjellore për thirrje meshtarake e rregulltare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.