2012-06-02 17:28:02

Edhe Rojet Zvicerane të Papës, ndërmjet vullnetarëve për lehtësimin e pasojave të tërmetit.


Edhe Rojet Zvicerane të Papës u nisën në ndihmë të popullsive të dëmtuara nga tërmeti në Emilia Romanja. Që sot e deri të hënën, pesëmbëdhjetë alabardierë të Papës, do të jenë në tokat e martirizuara, që vijojnë të lëkunden. “Është një gjest spontan, për të shprehur konkretisht dashurinë e krishterë ndaj të afërmit, që vuan”. Kështu e shpjegoi këtë nismë kapiteni i Trupës, Lorenco Merga, tiçinez, që shërben prej 17 vitesh në radhët e Rojeve. “Natyrisht, tha me shaka, do të nisemi pa alabardat”. Kujtojmë se alabardat janë armë mesjetare simbolike, në trajtë sopate, që plotësojnë uniformën karakteristike të Rojeve Zvicerane, në shërbim të papëve që në Mesjetë, gjithnjë me të njëjtën uniformë, skicuar nga Mikelanxhelo Buonarroti.
Duke u bashkuar me vullnetarët, që kanë nisur prej kohe t’i ndihmojnë popullsitë, na u kujtua edhe miqësia me ipeshkvin e Karpit, imzot Françesko Kavinën, i cili pak muaj më parë punonte në Vatikan, pohoi kapitan Merga.








All the contents on this site are copyrighted ©.