Siri: kardinali Turkson kërkon rrugë diplomatike për të shmangur rrezikun e luftës
ndërkombëtare
“Mbrojtja e popullsisë është detyra e parë e qeverisë. Lutem që qeveria siriane t’ia
vërë veshin të dërguarit të posaçëm, Kofi Annan, i cili po punon shumë për të rivendosur
paqen në Siri. Nuk mund të krijojmë rrezikun e një lufte ndërkombëtare, si ajo në
Libi”. Deklarata, dhënë agjencisë Sir, është e kardinalit Peter Turkson, kryetar i
Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes. Kardinali foli në përfundim të konferencës
së shtypit, që shënoi mbylljen e simpoziumit me temë “Sfida të reja për katolikët
konstruktorë të paqes”, organizuar, në Vatikan, nga selia e dikasterit, në bashkëpunim
me Caritas Internationalis, me Rrjetin katolik për sigurimin e paqes dhe Institutin
Kroc për studime ndërkombëtare mbi paqen pranë Universitetit ‘Notre Dame’ në SHBA.
Kardinali Turkson kujtoi hidhërimin e thellë të Papës për masakrën e kohëve të fundit
në Hula, ku humbën jetën 180 vetë, ndërmjet të cilëve, edhe shumë fëmijë. Duhet
të bëjmë ç’është e mundur për të shmangur rrezikun e një lufte të re ndërkombëtare,
nënvizoi kardinali ganez, bashkatdhetar i Kofit Annan. Duke pasur parasysh dëbimin
e ambasadorëve sirianë nga disa vende perëndimore, kryetari i Këshillit Papnor të
Drejtësisë e Paqes shprehu mendimin se një veprim i tillë nuk e qetëson aspak situatën.
Nuk është çast i përshtatshëm për ndërprerjen e lidhjeve diplomatike. Kush kryen punën
e ndërmjetësuesit, e di mirë sa rëndësi ka të mbeten gjallë këto lidhje, përndryshe,
theksoi kardinali Turkson, si mund t’i përcillet një mesazh i fortë qeverive? Prej
këndej, vijoi, mendoj se është më mirë që këto lidhje të mos ndërpriten, për ta inkurajuar,
kështu, qeverinë siriane, ta respektojë qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Duhet
gjetur një rrugë diplomatike për paqen, sepse bombat, në të gjitha luftërat, pa përjashtim,
nuk bëjnë dallime ndërmjet ushtarakëve e civilëve: i vrasin të dyja palët. Simpoziumi,
mbajtur në Vatikan, me pjesëmarrjen e pesëdhjetë personaliteteve nga vende të ndryshme
të botës, që lidhen në mënyrë të veçantë me procesin e paqes, ndërmjet të cilëve Nigeria,
Sri Lanka, Uganda, Somalia, Republika Demokratike e Kongos, Kolumbia, Mianmari, Uganda,
Filipinet, radhitet në kuadrin e nismave me rastin e 50-vjetorit të Enciklikës së
Gjonit XXIII “Pacem in terris”, që do të kremtohet në vitin 2013. Qëllimi i takimit,
saktësoi kardinali Turkson, ishte shkëmbimi i mendimeve lidhur me metodat që duhen
përdorur për t’iu kundërvënë dhunës, për të pajtuar grupet kundërshtare e për të rivendosur
paqen, edhe përmes dialogut ndërfetar. Majkëll Roi, sekretar i përgjithshëm i Caritas
Internationalis, nënvizoi rëndësinë e veprimtarisë së përbashkët në nivel ndërkombëtar.
Sot, më tepër se në të kaluarën, është e nevojshme, vërejti, që të gjithë forcat e
Kishës të punojnë së bashku për promovimin e paqes, e cila nuk duhet të imponohet
nga lart, por të lindë nga poshtë.