Papa në “Teatrin la Scala” për të dëgjuar Simfoninë IX të Beethovenit: Mesazh solidariteti,
vëllazërimi, paqeje
Ishte një lexim i shpirtit të kompozitorit dhe i muzikës së tij, në përkim me gjendjen
aktuale, fjalimi i Benediktit XVI në përfundim të koncertit në ‘La Scala “ të Milanos.Beethoven,
theksoi Ati i Shenjtë, ndonëse ndoqi format e gjuhës tradicionale të Simfonisë klasike,
na bën të përceptojmë diçka të re. Është vegimi universal i njerëzimit, ky që
Beethoven vizaton me muzikën e tij: është gëzimi, që buron nga vëllazërimi, nga dashuria
reciproke, nën shikimin atëror të Hyjit. Nuk është gëzim i mirëfilltë kristian ky,
që këndohet nga Beethoven; gjithsesi, mbetet gëzim, i cili buron nga bashkëjetesa
vëllazërore e popujve, nga fitorja mbi egoizmin, nga dëshira që njerëzimi të ecë në
rrugën e dashurisë, gati-gati ftesë që u drejtohet të gjithëve, për të shembur çdo
pengesë e për të kapëcyer çdo bindje. Benedikti XVI kujtoi, me dhimbje, se mbi
këtë koncert, që duhej të ishte festë gazmore, endej hija e zezë e tërmetit, që u
shkaktoi vuajtje të thella shumë prej banorëve të Italisë. Prej këndej fjalët e Himnit
të gëzimit, shkruar nga Shiler, tingëlluan si të zbrazta, të pavërteta. Jemi të
paralizuar nga dhimbja për gjithë këtë shkatërrim të pakuptueshëm, që u kushtoi jetën
kaq njerëzve, duke i lënë shumë të tjerë pa strehë mbi kokë. Deri hamendja se mbi
qiellin plot yje duhet të banojë një Atë i mirë, na duket e diskutueshme. Një Atë
i mirë mbi qiellin plot yje? A nuk mund të arrijë mirësia e tij deri tek ne? Ne kërkojmë
një Zot, që nuk rri mbi fron, duke na shikuar nga larg, por hyn në jetën tonë, në
vuajtjen tonë, kujtoi Papa, e në vijim pohoi: “Në këtë çast jemi në kërkim të një
Zoti, që është pranë. Kërkojmë një vëllazërim që, në mes të vuajtjeve, e mbështet
tjetrin, e ndihmon të ecë përpara. Pas këtij koncerti, kujtoi Benedikti XVI, shumë
do të shkojnë në adhurimin e Eukaristisë, do të shkojnë para një Zoti, që merr pjesë
gjithnjë në vuajtjet tona. Një Zoti, që vuan bashkë me ne e për ne, që i mëson njerëzit
të vuajnë bashkë, duke e shndërruar vuajtjen, në dashuri. E pikërisht për dashuri
na bën thirrje ky koncert. Zgjedhja e Simfonisë IX të Beethoven na krijoi mundësinë
të kumtojmë një mesazh muzikor, që pohon vlerën e solidaritetit, të vëllazërimit e
të paqes. E ky mesazh ka vlerë të madhe për familjen, nga që pikërisht në familje
provohet për herë të parë se njeriu nuk u krijua për të jetuar i mbyllur brenda vetvetes,
por i lidhur me të tjerët; e në familje kuptohet edhe se të realizohesh, nuk do të
thotë të vihesh në qendër të vëmendjes, por të jesh gjithnjë në marrëdhënie me të
tjerët; në familje nis të ndjehet në zemër drita e paqes, për ta ndriçuar këtë botë.